Policia e Kosovës ka mohuar raportimet se ushtari italian i ka kërkuar policit të largojë veturën zyrtare nga Ura e Ibrit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se policia është larguar pasi që ushtari italian shprehu dëshirën që të shkrepë disa fotografi të karabinerëve.

“Ushtari italian i ka kërkuar Policisë së Kosovës të largohet për të marrë disa foto të karabinerëve, por s’ka kërkuar largimin e policisë nga Ura e Ibrit”, ka thënë Elshani shkurtimisht për Albanian Post.

Më 31 gusht, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka njoftuar të shtunën se mjete shtesë që i përkasin Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të tij janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër.

“Dislokimet e tilla shtesë janë pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i bën për t’i testuar procedurat e tij dhe për t’i ruajtur standardet më të larta operacionale”, thuhet në përgjigjen me shkrim.