Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, sot paradite zhvilloi takimin e parë bilateral në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Itali.
Lidhur me këtë vizitë, është publikuar një video që tregon pamje përmbledhëse të të gjithë takimit të mbajtur mes dy homologëve.
Ministrja u prit në takim nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Luigi di Maio, me ftesën e të cilit kryediplomatja e Kosovës po qëndron për vizitë zyrtare në Romë.
“Ministrit di Maio i shpreha mirënjohjen e thellë ndaj Italisë për mbështetjen e Kosovës gjatë pandemisë, duke përcjellë gjithashtu lutjet tona për mirëqënien e popullit Italian, i dëmtuar ashpër prej Covid-19”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla, duke bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe mbi zgjerimin dhe dinamizimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe ushtarak.
Shefja e diplomacisë kosovare kërkoi nga homologu i saj që Italia të vazhdojë përkrahjen e zëshme për agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe të intensifikojë bashkëpunimin me FSK-në.
“U dakorduam me Ministrin di Maio se Ballkani Perëndimor ka nevojë për stabilitet, siguri, dhe paqe të qëndrueshme e që mund të arrihet vetëm përmes zgjidhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që nuk injoron përgjegjësinë për të kaluarën tragjike të popullit tonë, dhe që respekton realitetin politik e ligjor të Republikës së Kosovës”, bëri të ditur Ministrja.
Ministri Di Maio nga ana e tij e siguroi homologen Haradinaj-Stublla se Italia do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj Euro-Atlantik, dhe se beson në lidhjen e fortë mes popujve.







