Pamje nga Stambolli i mbuluar me borë, ndërpritet qarkullimi i veturave

Fluturimet janë pezulluar për ditën e dytë radhazi në Aeroportin e Stambollit, ndërsa veturave private u është ndaluar qarkullimi, pasi reshjet e dendura të borës shkaktuan kaos në qytetin më të madh të Turqisë.

Reshjet filluan në fund të javës së kaluar dhe u shtuan ditëve të fundit në qytetin me rreth 16 milionë banorë. Pamjet nga aeroporti, që është ndër më të mëdhenjtë në botë, shfaqën pista të mbuluara me shtresë të trashë dëbore. Aeroplanët e veturat vështirë dukeshin.

Foto: Okan Tanis / Reuters

Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, e mori masën e rrallë për t’i ndaluar veturat private deri në orën 13 sipas kohës lokale për ta mundësuar pastrimin e rrugëve nga ekipet emergjente. Shumë punëtorëve të sektorit publik u është dhënë pushim për ta zvogëluar qarkullimin në trafik, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, një burrë shihet duke skijuar rrugëve të Stambollit të hënën në mbrëmje. Në jug të Turqisë, borë pati edhe në plazhin e Antalias – për herë të parë në 29 vjet.

Foto: Okan Tanis / Reuters

Kryetari i Stambollit, Ekrem Imamoglu, tha se 55.000 tonë kripë janë hedhur rrugëve dhe bëri thirrje që njerëzit ta largojnë borën para shtëpive dhe dyqaneve të tyre për t’i ndihmuar ekipet emergjente në punën e tyre.

Në mbarë vendin, rreth 4.600 njerëz mbetën të ngujuar në rrugë dhe në vende të tjera. Mijëra njerëz janë vendosur në strehim të përkohshëm, tha Autoriteti i Fatkeqësive dhe Emergjencave.