Palmer mesazh LDK-së: Të respektohet rezultati i zgjedhjeve në Kosovë

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha në Beograd se është e rëndësishme që rezultati i zgjedhjeve në Kosovë të respektohet.

Me këtë rast, ai tha se subjekti politik Lista Serbe ka marrë mbështetjen e shumicës së serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit dhe se me këtë e ka fituar të drejtën për t’u përfaqësuar në Qeverinë e Kosovës.

“Unë mendoj se në Kosovë ka vend për shumë zëra të ndryshëm që duhen dëgjuar, por është gjithashtu e rëndësishme të respektohen rezultatet e zgjedhjeve”, tha Palmer.

Palmer i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se ka diskutuar për situatën politike në Serbi dhe rajon.

Në anën tjetër, presidenti serb, Vuçiq tha se ishte i kënaqur me përmbajtjen e takimit, por nuk zbuloi shumë detaje.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, i cili është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, Vuçiq tha se pret që shumë shpejt, “brenda dy ose tre muajsh”, ai të vazhdojë.

“Ne duam që dialogu të jetë serioz dhe të çojë në një zgjidhje kompromisi. Serbia është e gatshme për një kompromis, por nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e gatshme të poshtërojë veten dhe njerëzit e saj. Asnjëherë nuk kemi bërë ndonjë kërkesë ekstreme, as nuk kemi kërkuar diçka për të cilën ne e dimë që askush nuk do ta pranojë, kjo është arsyeja pse përmendëm një kompromis”, tha Vuçiq.

Presidenti serb, porositi se gabojnë “edhe ata brenda shqiptarëve dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të cilët mendojnë se përmes presionit do ta detyrojnë Serbinë të pranojë diçka në kundërshtim me interesat e saja kombëtare”.

Duke folur për raportet ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, Vuçiq tha se dëshiron që ato të intensifikohen, përderisa përsëriti ftesën për presidentin amerikan Donald Trump që të vizitojë Serbinë.

“Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë të ftoj presidentin Donald Trump të vizitojë Serbinë. Asnjë president amerikan, që nga Jimmy Carter më 1980 nuk e ka vizituar Serbinë. Kjo vizitë do të ishte shtysë e fuqishme për zhvillimin e marrëdhënieve tona”, tha Vuçiq.

Palmer javën e kaluar vizitoi Shkupin dhe Prishtinën, ku u takua me zyrtarët e atjeshëm.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Prishtinë, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën që t’i qaset seriozisht dialogut dhe arritjes së marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Në vend se ta shohim dialogun si shpërqendrim, konsiderojeni normalizimin si trasim për prosperitet dhe drejtësi”, tha Palmer, duke transmetuar qartë mesazhin se dialogu dhe normalizimi i raporteve me Serbinë çojnë Kosovën dhe rajonin kah e ardhmja.

Ndërkaq, në Shkup diplomati amerikan potencoi përkrahjen e SHBA-së për perspektivën euroatlantike të vendit.

“Mesazhi ynë është se SHBA-ja është partnere dhe mike e Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të përkushtuar në këto raporte me Maqedoninë e Veriut dhe integrimin e saj në NATO dhe BE”, pati thënë Palmer.

Edhe gjatë qëndrimit në Serbi, ai komentoi vendimin e BE-së për të mos hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Sipas tij, ky vendim i evropianëve ishte një “gabim historik”.

loading…