Pallaska: Zëvendësimi i komandantit të FSK-së do duhej të bëhej me ceremoni solemne

Avokati i njohur, Dastid Pallaska, ka kritikuar formën se si është organizuar ceremonia e zëvendësimit të komandantit të FSK-së, ku përgjegjësitë e kësaj pozite kaluan nga Rrahman Rama tek Bashkim Jashari.

Pallaska në një postim në Facebook ka vënë në dukje faktin se bartja e përgjegjësive duhet të bëhet me ceremoni solemne ushtarake, dhe jo në formën se si u bë sot, shkruan lajmi.net.

Për këtë, ai ka marrë edhe shembullin kur Rrahman Rama kishte pranuar pozitën nga ish-komandanti Kadri Kastrati.

“Në atë ngjarje ish Komandanti Kadri Kastrati u dekorua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit të Ioëa-së në ShBA. Kjo është përcjellja e dinjitetshme që meritojnë shërbyesit më të vyer të vendit”, ka thënë Pallaska.

Postimi i plotë:

Zëvendësimi i Komandantit të FSK-së duhet të bëhet me ceremoni solemne ushtarake, siç ndodhi më 15 mars 2015 kur Gjeneral-lejtant Rrahman Rama pranoi detyrën nga Gjeneral-lejtant Kadri Kastrati.

Atë ditë në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore ishin të pranishëm jo vetëm krerët e shtetit por edhe përfaqësuesit e aleatëve kryesor të vendit, duke përfshirë edhe Ambasadoren e ShBA-ve. Komunikatën për shtyp nga kjo ceremoni mund ta gjeni në koment.

Në atë ngjarje ish Komandanti Kadri Kastrati u dekorua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit të Ioëa-së në ShBA. Kjo është përcjellja e dinjitetshme që meritojnë shërbyesit më të vyer të vendit.

Po që se fotografia e sotme nga Presidenca dhe postimi në Facebook i Kryeministrit paraqesin tërë “ceremoninë” e zëvendësimit të Komandantit të FSK-së, kjo nuk i bënë nder askujt. As ish Komandantit, as Komandantit të ri, e as FSK-së.