Palestinezët e ftuan Millosheviqin në Jerusalem. Qeveria e Izraelit kërcënonte: Do ta arrestojmë ‘Kasapin e Ballkanit’

Ishte fundi i vitit 1999. Lufta mizore në Kosovë kishte pak muaj që kishte përfunduar, ndërsa Palestina e ftonte presidentin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq të shkonte për të festuar Krishtlindjet Ortodokse bashkë me ta në Betlehem në janar të vitit 2000, ndonëse ai akuzohej për krime makabre të luftës.

Në anën tjetër, Qeveria e atëhershme izraelite kërcënonte se Kasapi i Ballkanit do të arrestohej në rast se do të zbarkonte aty. Kështu dëshmon edhe një shkrim i 2 dhjetorit 1999, i publikuar nga gazeta amerikane, SFGATE.

“Unë mendoj se nëse ai zbarkon këtu, ai do të arrestohet. Mendoj se kjo do të bëhej në shumicën e vendeve në botë”, shprehej Aviv Shiron, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit. “Unë mendoj se ky është një gabim diplomatik. Flet vetë”, theksonte ai.

Një zyrtar i lartë palestinez tha se nuk do të priste që Millosheviqi ta pranonte ftesën. Por zyrtarët ortodoksë grekë nuk ishin të sigurt.

“Po, ai është i ftuar, por nuk e di nëse do të vijë”, thoshte Maria Margeti, një sekretare në Kishën Ortodokse Greke në Jerusalem, e cila tha se po shikonte një listë të të gjitha shteteve kryetarët të cilave ishin të ftuar për festën që ishte organizuar. “Ende nuk kemi përgjigje”.

Në maj, gjatë luftës në Kosovë, Millosheviq u akuzua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e OKB-së në Hagë për përndjekje, dëbimi dhe vrasje të shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara u obliguan ligjërisht që ta arrestonin Millosheviqin nëse ai shkelte në territorin e tyre.

Kur i treguan për ftesën, një hetues në gjykatën e Hagës, në kushte anonimiteti tha: “Unë do të thoja që Z. Arafat po merr në duar shumë probleme nëse e bën atë. Së dyti, ai do të ishte nën një detyrim që të bëjmë diçka në emrin tonë për ta ndaluar nëse ai shkon në Betlehem. Çdo vend që ndihmon dhe mbështet një kriminel lufte, bota do të kishte një këndvështrim mjaft të zbehtë kundrejt tij”.