Pal Lekaj kërkon zgjedhje të reja: Qeveria Kurti e paaftë, le të maten prapë me votë

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria Kurti është e paaftë, andaj sipas tij më mirë është të shkohet në zgjedhje.

Lekaj tha se edhe më parë ka pasur qeveri me shumë numra në Kuvend, megjithatë është rrëzuar dhe është shkuar në zgjedhje.

”Nga praktika që kemi pasur, Qeveria Mustafa ka pasur 90 deputetë dhe kemi shkuar në zgjedhje. Derisa këta nuk janë të aftë, më mirë është të shkohet në zgjedhje, le të maten prapë me votë. Një goditje shumë të fuqishme e ka marrë VV-ja për arrogancën ndaj qytetarëve”, tha ai në T7.

Tutje, Lekaj tha se VV-ja po e humb mbështetjen e qytetarëve sepse në zgjedhjet lokale mori 300 mijë vota më pak se në zgjedhjet qendrore.

”Diku 300 mijë vota ka marrë më pak se në zgjedhjet qendrore. A nuk do të thotë kjo që po e humbin mbështetjen e qytetarëve? Nëse vazhdon kështu e nuk e ndërron ritmin, s’ka projekte të zhvillimit ekonomik, më besoni se do të pësojë fiasko në zgjedhje”, shtoi Lekaj.