Pal Lekaj: Ish-drejtuesit e UÇK-së do të dalin faqebardhë

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, i ka quajtur të dëmshme për vendin dhe luftën çlirimtare akuzat e ngritura kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pavarësisht kësaj, Lekaj në intervistë për “Epokën e re” ka thënë se nuk ka aktakuzë që mund ta ndryshojë luftën e drejtë të UÇK-së.

“Ne luftuam për liri dhe të drejtat tona. Luftuan për t’i mbijetuar shtypjes dhe represionit. Nuk ka aktakuzë apo akuzë që të mund ta ndryshojë këtë”, ka thënë ai. Lekaj ka vlerësuar se e vërteta e UÇK-së do të dalë në dritë gjatë procesit gjyqësor në Hagë.

Në këtë kontekst, ai është shprehur i bindur se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Sali Mustafa do të dalin të pafajshëm.

“Pres që të dalin faqebardhë ata dhe të gjithë ne, UÇK-ja dhe Kosova. Nuk luftuam se na pëlqen lufta, por sepse nuk patëm dhe nuk na lanë zgjidhje tjetër. E provuam me politikë paqësore dhe negociata, ndërsa Beogradi u përgjigj me dhunë, gjenocid dhe masakra”, ka deklaruar Lekaj, duke shtuar se mbrojtja e UÇK-së duhet të jetë në fokusin e të gjithëve.

“Duhet ta mbrojmë atë sepse është e shenjtë, sepse është themeli i pavarësisë së Kosovës. Sigurisht se duhet bërë më shumë. Gjithmonë do të ketë hapësirë për të bërë më shumë, jo vetëm sot, por për jetë e mot”, ka thënë Lekaj.

Më tutje, Lekaj ka folur për kërkesën e opozitës që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe propozimin e AAK-së që Ramush Haradinaj të jetë president.

Lekaj ka thënë se qëndrimi i AAK-së është i qartë: ose Haradinaj president, ose vendi shkon në zgjedhje. “Qëndrimi ynë është i qartë, të biem dakord për ta zgjedhur presidentin. Nëse jo, zgjedhjet mbeten opsion. Nuk mund të lejojmë vakuum kushtetues”, ka deklaruar Lekaj.