Greqi-Maqedoni

Pakti i emrit me Shkupin, diplomati grek: Nëse s’e miraton Tsipras, s’ka shans tjetër

Shkupi po përpiqet fort për implementimin e ndryshimeve kushtetuese që do të lejonin vënien në jetë të marrëveshjes historike të emrit me Greqinë. Por ish-ambasadori grek në Kosovë, Dimitris Moschopoulos mendon se as në Greqi, drita jeshile për paktin nuk duhet marrë si e mirëqenë.

Diplomati tha për rrjetin investigativ BIRN se marrëveshja e emrit ka shanse mbijetese vetëm nëse i shkon për ratifikim parlamentit përsa kohë është në fuqi qeveria aktuale greke.

“U zhvilluan zgjedhje në vend dhe ekzekutivi humbet”, arsyeton ai, “atëherë opozita e sotme ka për ta rrëzuar ujdinë. Marrëveshja duhet të miratohet me shumicë të thjeshtë votash në parlamentit e shtetit Helen, 151 nga 300 vende që janë gjithsej”.

Partitë opozitare, përfshirë aleaten e vogël të Syrizës në koalicionin qeverisës, Greket e Pavarur, do të votojnë kundër saj. Moschopoulos megjithatë konsideron se disa të pavarur do të votojnë në favor të ujdise e në këto kushte, qeveria edhe mund t’i arrijë 151 votat e nevojshme.

Kjo do të thotë se fati i marrëveshjes së emrit varet nga koha kur do të zhvillohen zgjedhjet në Greqi. Afati aktual është tetori 2019, ndërkohë që nga sa pohon ish-ambasadori, ka spekulime se zgjedhjet mund të zhvillohen në të njëjtën kohë me ato europiane, në 29 maj.

Sondazhet nuk janë shumë premtuese për Syrizën. Anketimi më i fundit, i publikuar nga gazeta ProtoTema tregon se Demokracia e re mund të fitojë 36.8 për qind te votave ndërsa Syriza e Tsiprasit, vetëm 23.7 për qind.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ndërkohë është i bindur se do të respektohen afatet lidhur me procesin e amendamenteve që burojnë nga Marrëveshja e Prespës dhe se nuk pret qe opozita në Maqedoni që ta bllokojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese.