Pak detaje nga vizita në Kosovë, tre diplomatët evropianë nisen drejt Beogradit

Përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne qëndruan për vizitë në Kosovë, ku kishin takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit që zgjati mbi dy orë, ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak tha se kishin diskutime të thella dhe të rëndësishme me kryeministrin Kurti për ta çuar përpara këtë proces.

Por, Lajçak ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje.

“Dy orë diskutuam me kryeministrin Kurti për dialogun dhe mënyrat për të sjellë dinamika të reja dhe ta çojmë këtë proces përpara. Ishin diskutime të thella dhe të rëndësishme, por nuk mund të japim më shumë detaje”, tha shkurt Lajçak para mediave.

Pak detaje nga takimi dha edhe Qeveria e Kosovës.

Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media tha se në takim kryeministri Albin Kurti ka thënë se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Aty thuhet se Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër.

Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimit në Kosovë, Lajçak dhe dy këshilltarët evropianë do të vizitojnë Beogradin, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Vuçiq.

Nga Qeveria gjermane gjatë kësaj jave deklaruan se qëllimi i kësaj vizite do të jetë për të parë se cilat janë opsionet e mundshme në përparimin e normalizimit të marrëdhënieve në dialogun Kosovë-Serbi.

Në fundjavë u bënë publike dy letra të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, në të cilat u bëhej thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për normalizim sa më të shpejtë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në këto letra të ndara, Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, njoftuan se ngarkuan në detyrë këshilltarët e tyre për politika të jashtme dhe siguri, për t’i dhënë mbështetje emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçakut.

Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit./Reporteri.net