Pahor nga Samiti Bërdo-Brioni i bën thirrje BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat.

Pahor i bëri komentet në fund të samitit të Procesit Bërdo-Brioni, që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë.

Përveç Pahorit, nikoqir i takimit, aty morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.