Padrejtësia speciale| Sreten Lukiq i akuzuar për vrasjen e 600 shqiptarëve u dënua me 22 vjet e më pas u lirua, Salih Mustafa dënohet më 26 vjet

Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.

Por, Sreten Lukiq, shef i stafit të MUP-it në Kosovë gjatë luftës, një kriminel i njohur, prej të cilit janë dirigjuar shumë prej krimeve të bëra në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, teksa është gjetur i implikuar direkt në masakrat në Bellacërk (Fortesë), Krushë të Vogël, Suharekë, Izbicë, Gjakovë, Mejë e Korenicë, ishte dënuar me vetëm 22 vjet burg. Kurse, më 2014, atij i ishte zbritur dënimi në 20 vjet burg, shkruan Demokracia.com.

Kur kaluan 7 vjet, më 11 tetor 2021, ai u lirua në shtëpi. Kusht e kishte që mos të flasë në media dhe mos t’i mohojë krimet që i ka bërë.

Numri i viktimave të gjetura që janë rezultat i urdhrave të lëshuar nga ky, llogariten të jenë 600.

Lukiq, dikur gjeneral i policisë serbe në Kosovë, shumicën e dënimit e kishte kryer në Poloni, deri në janarin e vitit 2021 kur u lirua.

Në 1998-n, Sreten Lukiq ishte emëruar shef i shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Kosovë. Kishte marrë më pas gradën e gjeneralmajorit, ndërsa më pas atë të gjenerallejtantit.

Në luftën e fundit në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, Serbia ka vrarë më shumë se 13 mijë persona.

Sipas këtyre të dhënave dhe faktimeve, janë dhunuar 20 mijë gra e mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

Për krejt këto, nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë, njeriu kryesor i Sllobodan Millosheviç për Kosovë, Nikola Shainoviç, ishte dënuar me 22 vjet burgim.

Pas apelit, dënimi iu zvogëlua në vetëm 18 vjet dhe pasi mbajti dy të tretat e dënimit u lirua fare për sjellje të mirë. Pra, 12 vjet burgim për mbi 13 mijë të vrarë.

Dragoljub Ojdaniç, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, përgjegjës për krime në luftën e Bosnjës dhe personi kyç në operacionin e deportimit të shqiptarëve nga Kosova, mori vetëm 15 vjet dënim, për dhjetëra vepra për të cilat akuzohej në kuadër të aktakuzës për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Kolegu i tij, komandanti i forcave të Ushtrisë së Jugosllavisë në Prishtinë, Vladimir Lazareviç, u dënua me vetëm 14 vjet burgim.

Përgjegjësi për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të shkaktuara nga policia e Serbisë në Kosovë, Sreten Lukiç, nuk kishte marrë më shumë se 20 vjet dënim nga Tribunali Ndërkombëtar.

Lukiç, në kohën e luftës ishte Shef i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP-it) për Kosovë.

E sot, Salih Mustafa u dënua më 26 vjet, nga një gjykatë që thirret në emrin e popullit të Kosovës.