Padi penale për aktorin maqedonas që kërcënoi me jetë gazetarin përmes Twitterit

Prokuroria Publike Themelore Shkup njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë kundër një personi për vepër të kryer penale –Rrezikimi i sigurisë nga neni 144 paragrafi 4 nga Kodi Penal, gjegjësisht për kërcënim ndaj një gazetari në një rrjet social.

“I pandehuri akuzohet se më 16.06.2017, nëpërmjet një sistemi informativ, ka kërcënuar se do të kryejë vepër penale për çka është caktuar dënim me burg prej pesë vitesh apo dënim më i rëndë. Kërcënimet janë publikuar në formë të komentit në profilin e tij në një rrjet social dhe janë drejtuar ndaj personit të dëmtuar – gazetar, me ç’rast i pandehuri ka bërë thirrje për likuidim fizik dhe ka rrezikuar sigurinë e gazetarit”, njoftoi PPTH Shkup.

Portali maqedonas plusinfo.mk jozyrtarisht, duke u nisur nga data që është cekur në komunikatë dhe nga rasti për të cilin reagoi edhe Shoqata e Gazetarëve e Maqedonisë, mëson se i akuzuar është aktori maqedonas, i njohur për qëndrimet e tij ekstreme nacionaliste, Toni Mihajllovski.

Viktima, respektivisht i kërcënuari është gazetari Branko Triçkovski, për të cilin Mihajllovski në Twitter shkroi: Unë Branko Triçkovskin mund ta vras dhe hiç të mos më luajë syri. Falmë zot”.