Pacollit iu kërkuan 850 mijë euro për ta “shpëtuar” nga Specialja, ngrihet aktakuzë ndaj shantazhuesit

Prokuroria Speciale sot ka bërë të ditur se kanë ngritur aktakuzë ndaj një personi nën dyshimet se ka kërkuar një shumë të madhe të parave ndaj B.P, pasi që fillimisht ishte prezantuar si bashkëpunëtor dhe person me ndikim te prokurorët e specializuar të Gjykatës Speciale.

Gazeta Express merr vesh se bëhet fjalë për kreun e AKR’së dhe biznesmenin Behgjet Pacollin nga i cili Enis Haradini kishte kërkuar 850 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Haradini i ka dërguar edhe vajzës së të dëmtuarit mesazh me përmbajtje “Babai yt është në rrezik dhe ti mundesh me evitua situatën“, krejt këto veprime me qëllim që i dëmtuari të ia dorëzoj shumën e kërkuar të të hollave për çka Pacolli e ka lajmëruar rastin në polici.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Detyrimi në tentativë” nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.