Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës mos të udhëtojnë drejt Irakut dhe Iranit, si pasojë e situatës së tensionuar që është shkaktuar.
Këtë thirrje Pacolli, e ka bërë përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Twitter.
“Si pasojë e tensioneve të ngritura në Lindjen e Mesme, i këshillojmë qytetarët të mos udhëtojnë në Irak dhe Iran me përjashtim të Rajonit të Kurdistanit. Ne do ta bëjmë këtë thirrje derisa situata të stabilizohet në këtë regjion. Misioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme është t’i mbajë qytetarët e Kosovës të sigurtë”, ka shkruar Pacolli në Twitter.
Ai gjithashtu, u ka bërë thirrje qytetarëve që punojnë në Irak, të kërkojnë ndihmë në Ambasadat e Kosovës në Arabinë Saudite, Turqi, Katar ose Emiratet e Bashkuara. nëse kanë nevojë, pasi që Kosova nuk ka lidhje diplomatike në Irak.
In light of heightened tensions in the Middle East, we advise people not to travel to Iraq and Iran, with the exception of the Kurdistan Region. We will maintain this alert until situation is deescalated in the region. @MFAKOSOVO mission is to keep Kosovo citizens safe abroad.
— Behgjet Pacolli (@pacollibehgjet) 4 January 2020
Kjo situatë alarmante është krijuar pas tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme, që nisën me sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bagdad, dhe kulmuan me vrasjen e liderit të Forcave “Quds”, Qaseem Soleimani.







