Ura e telasheve

Pacolli thotë se ura e Ibrit do të hapet me një koncert të një këngëtareje amerikane

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli thotë se ura e Ibrit në Mitrovicë do të hapet me një ceremoni në të cilën do të performojë një këngëtare amerikane, emrin e së cilës nuk e ka zbuluar.

Pacolli i cili ka takuar kryetarin e Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri, thotë se emri i kësaj këngëtareje do të propozohet t’i vihet urës, revitalizimi i së cilës tashmë ka përfunduar.

“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me kryetarin e Mitrovicës, z. Agim Bahtiri, për zhvillimet aktuale në Mitrovicë, ku ai po qeveris në mënyrë të shkëlqyeshme dhe po realizon shumë projekte madhore. Po ashtu biseduam edhe për çështjen e hapjes të Urës së Ibrit, revitalizimi i së cilës ka përfunduar tashmë, dhe u dakorduam që hapja të bëhet me një ceremoni të veçantë, ku do të performoj edhe një këngëtare amerikane, emrin e së cilës do të propozojmë që ta mbaj Ura e Ibrit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Idenë e një koncerti për hapjen e urës e dha ditë më parë Bahtiri. Por për një gjë të tillë nuk është në dijeni BE e cila edhe ka financuar punimet në urë.

Hapja e Urës së Ibrit tash e sa vjet është bërë temë e nxehtë e krejt politike. Kryetarët e dy pjesëve të qytetit, njëri shqiptar e tjetri serb, assesi të pajtohen për lirimin e qarkullimit normal mbi të të njerëzve dhe makinave.

Serbët lokal kërkojnë nënshkrimin e memorandumit për kufirin administrativ.

Komuna e Mitrovicës e cila administrativisht është e ndarë në jug dhe në veri nuk e ka të përcaktuar vijën administrative. Kjo sipas serbëve duhet të jetë lumi Ibër ndërkaq pala tjetër kundërshton kategorikisht.

Me firmosjen e ujdisë, vendbanime si Suhodolli, Gushanci e Binarci të barnuar më shumicë shqiptare do të shkonin nën administrimin e komunës në veri. Kjo e fundit është produkt e pakos së Marti Ahtisarit mbi të cilën Kosova shpalli pavarësinë.

Po në këtë takim Pacolli dhe Bahtri thuhet të kenë biseduar edhe për zgjedhjet e brendshme në AKR.

“Gjithashtu me Agimin, që siç e dini është edhe zëvendëspresident i AKR-së, biseduam edhe për procesin e brendshëm zgjedhor që do ta mbaj AKR-ja, ku do t’iu hapet rruga inkuadrimit të kuadrove të reja që të angazhohen në partinë e vetme që funksionon mbi bazën e vlerave liberale perëndimore”, njoftoi Pacolli.