Deputeti dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka pretenduar se një zyrtar i lartë i Kosovës i kishte kërkuar një ministri të huaj të Punëve të Jashtme që të mos fliste me Pacollin.
Në një postim në Facebook, Pacolli ka shkruar se zyrtari i lartë kishte thënë se ai nuk ishte i autorizuar që të fliste për Kosovën. Pacolli ka paralajmëruar se do të vijë momenti kur do të bëjë publike detajet për këtë çështje.
“Edhe kësaj jave të punës intensive dhe jo pak të lodhshme, ngadalë po i vjen fundi. Ishte një javë e mbushur me aktivitete, të cilat së shpejti do të shndërrohen në suksese të prekshme për Kosovën. Sigurisht, përveç takimeve të publikuara, kam pasur edhe takime të tjera të rëndësishme, të cilat për momentin preferoj të mbeten anonime”, ka shkruar Pacolli.
“Arsyeja që më shtyu të shkruaj dhe të postoj këtë tekst është fakti se një përfaqësues i lartë i shtetit tonë, në një rast të caktuar, (duke kërkuar takim për vetën e vet kishte ra fjala për mua), i kishte thënë një Ministri të Punëve të Jashtme të një shteti tjetër që t’i përcjellë presidentit të tij të mos flasë me zotin Pacolli, pasi ai nuk është i autorizuar të flasë për Kosovën. Si rezultat, unë realizova vizitën time dhe madje iu luta që të pranonin të bisedonin me mua. Do të vijë momenti kur unë do ta bëj këtë publike”, ka shkruar ai.
Pacolli ka thënë se në Nju Jork “isha vetëm me një bashkëpunëtor, si gjithmonë me shpenzimet e mia, pa mbështetjen apo shërbimet e ndonjë strukture shtetërore të Kosovës”.







