Një numër i madh mjekësh dhe punëtorësh shëndetësorë nga Serbia kanë hyrë sot në Kosovë. Kësaj radhe serbët kanë përzgjedhur pikën kufitare për në Merdare dhe me destinacion Graçanicën, ku pritet t’i trajtojnë pacientët serbë.

Nga burime të mirë informuara, Gazeta Metro ka mësuar se numri i tyre që kanë hyrë është 14 dhe posedon dokumentet me të dhënat e tyre, emrat, numrat e ID’së.

Në listën e mëposhtme që e ka siguruar Metro, në faqen e parë janë emrat e 14 mjekëve dhe infermierëve serbë që kanë hyrë në Merdare në ora 11:00 dhe do të qëndrojnë në Graçanicë dhe vendbanimet e tjera serbe.

Deri tani Ministria e Shëndetësisë nuk ka njoftuar për ardhje të mjekëve nga Serbia dhe nuk dihet se cfarë kushtesh kanë hyrë, a kishin leje dhe pse kjo qasje për ti menaxhuar komunat serbe në Kosovë me mjekë nga Serbia.

Ndërkaq, ardhjen e mjekëve nga Serbia në Graçanicë e paralajmëroi ditë më parë edhe shefi i të ashtuquajturës zyre për Kosovën, Marko Djuric.

Sipas tij, edhe në Fushë-Kosovë, Gjilan e disa qendra të tjera në Kosovë do të vijnë mjekë nga Serbia dhe do të vendosin spitale improvizuese, për t’i trajtuar pacientët e komunitetit serb.

Ky nuk është rasti i parë i hyrjes së shumë punëtorëve shëndetësorë nga Serbia në Kosovë. Javë më parë rreth 100 dhe pa leje kishin hyrë në komunat veriore serbe të Kosovës.