Pacolli: Nëse Jovanoviq keqtrajtohet, Kosova shikon mundësinë e mbylljes së Zyrës Ndërlidhëse në Serbi

Për ndalimin e Sërgjan Jovanoviqit, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, që ka thënë se nëse Jovanoviq keqtrajtohet Kosova do ta shohë mundësinë e mbylljes së përkohshme të prezencës diplomatike në Serbi.

Ai ka thënë se do të kërkojnë nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd që të monitorojë rastin. Sipas tij, është e qartë që mungon trysnia nga Bashkimi Evropian mbi Serbinë.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka thënë se me këtë ndalim Serbia po vazhdon fushatën e terrorit mbi qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, ky arrestim tregon që Serbia s’njeh parimet themelore të qytetarisë.

Ky është postimi i Pacollit:

Serbia po vazhdon me fushatën e terrorit mbi qytetarët e Republikës së Kosovës, duke i ndalur dhe keqtrajtuar në pika kufitare apo brenda territorit të saj. Arrestimi i sotshëm i Këshilltarit të Kryeminstrit, Srdjan Jovanoviç, nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjenca serbe, tregon që Serbia nuk njeh parimet themelore të qytetarisë.

Ky regjim jo demokratik, i arreston serbet i Kosovës, sepse mendon që fakti se ata janë serbë, i bënë me automatizëm edhe shtetas të saj. Është pikërisht kjo logjike primitive, sipas së cilës serbet kudo në botë i takojnë Serbisë, ajo e cila e ka shtyrë këtë vend në luftëra dhe konflikte me popuj dhe vendet tjera.

Do t’i kërkojmë Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, të monitoroj këtë rast, dhe në rast se Jovanoviç keqtrajtohet, në shenjë proteste ndaj këtij shteti, do të shohim mundësinë e mbylljes sê përkohshme të prezencës sonë diplomatike në Serbi.

Është e qartë që mungon trysnia nga Bashkimi Evropian mbi këtë vend, dhe edhe përkushtimi për procesin e normalizimit!