Pacolli në Matiçan: Asnjë drejtor nuk është thirrur nga policia për korrupsion

Në mesin e dhjetra banorëve të lagjes Matiçan të Prishtinës e shpalosi programin 4 vjeçar kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, Gëzim Mehmeti.

Vetëm për këtë zonë sipas planprogramit të AKR-së parashihet investim 1 milion e 200 mijë euro. Edhe pse drejtoria e Investimeve Kapitale e udhëhequr nga kandidati aktual për kryetar të Prishtinës nuk i kishte lënë anash investimet në Matiçan përgjatë një mandati. Mehmeti përmendi asfaltimin e rrugëve, intervenimin me kanalizim si dhe shtigjet për këmbësorë gjersa foli edhe për investime të tjera që do bëhen me ardhjen e tij në pushtet.

Një ndër pikat kryesore të programit të tij është E- Inspektimi, ku parashihet vendosja e sensorëve në shtyllat e ndriçimit publik. Në rastet kur ato fiken alarmohet qendra monitoruese që do të jetë në kuadër të komunës dhe problemi do të rregullohet brenda dy orëve pa pasur nevojë që qytetari të lajmërojë fizikisht problemin.

Fjalimin e vazhdoi nënkryetari aktual i Prishtinës, Selim Pacolli ku tha se të gjithë arritjet në infrastrukturë janë meritë e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me Gëzim Mehmetin.

Pacolli theksoi se drejtoritë që udhëhiqen nga AKR-ja në komunën e Prishtinës nuk janë thirrur kurrë nga policia dhe prokuroria për korrupsion.

Fjalën e morën edhe tre asambleistët e kësaj lagje ku treguan problemet dhe mungesat e banorëve.