Pacolli: Në 2021-tën jemi shpallur si komuna më transparente në botë krahas Madridit

Selim Pacolli, ish-nënkryetar i komunës së Prishtinës, i ftuar në Edicionin Special, ka folur për sukseset që i ka pasur komuna e Prishtinës gjatë mandateve të tyre, duke thënë se është shpallur komuna më transparente në botë, krahas kryeqytetit të Spanjës, Madridit.

“Janë bërë punë të mëdha, ne në 2021-tën jemi shpallur si komuna më transparente në botë, bashkë me kryeqytetin e Spanjës, Madridin”, ka thënë ai.

Ai tregoi edhe për dorëzimin e postit të tij, për të cilin tha se e ka bërë një ditë më parë te kryetari Ahmeti, pasi sipas tij, ai që ia ka dhënë postin, atij do të duhej t’ia dorëzonte.

“Unë dje kam dorëzu mandatin zyrtarisht te zotëri Ahmeti, meqenëse jam i emëruar ligjërisht që të dorëzoj mandatin te ai që më ka emëruar. Në këtë rast te kryetari, mirëpo jam përshëndetur me secilin koleg timin që e kam pasur brenda zyrave të institucionit të komunës së Prishtinës, i kam përshëndetur dhe i kam kërkuar ndjesë për çfarëdo shqetësimi apo ndonjë fjalë eventuale për katër vitet që kemi kaluar bashkë”, ka thënë ai.

Ai tha se sa ishin në krye të Prishtinës kanë bërë punë shumë të mëdha, por i përmendi edhe disa dështime që i kanë pasur gjatë qeverisjes së tyre në këtë komunë.

“Dështimi ynë është rruga ‘Muharrem Fejza’, të cilën dhe kolegut tuaj Milot Hasimja, ai jeton aty dhe ka bërë edhe filma të ndryshëm për atë rrugë aty, mirëpo është një projekt që ka qenë aty për 17 muaj në zyrat e prokurimit, do të thotë që 17 muaj sillet e pështillet ai projekt”, ka shtuar ai.