Pacolli: Koalicioni i LDK-së me AAK-në e Nismën urë lidhëse për të shkuar drejt PDK-së

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se LDK-ja po paraqitet kinse po bën koalicion me AAK-në dhe Nismën, por kjo është vetëm një urë për të shkuar drejt PDK-së.

Ajo ka kritikuar opozitën që sipas saj po krijon kriza politike në situatën e pandemisë.

“Po i përcjellim edhe masat që po i marrin shtetet e tjera, e në vendet më demokratike opozita e pozita janë bërë bashkë për gjetur zbrazëtirat ligjore. Kurse te ne është krejtësisht e kundërta. PDK-ja bashkë me LDK-në, AAK, Nismën, e Presidentin po provojnë se si të gjejnë zbrazëtira antikushtetuese për të ndalë këto veprime. MSH-ja ka marrë vendim në përputhje me vendimin e Kushtetutës. Masat janë në përputhje me atë se çfarë na nevojiten tani për tani. Vendimet janë marrë në përputhje me situatën aktuale”, ka thënë Pacolli.

Ajo thotë se Kosova ka mësuar edhe nga gabimet e vendeve të tjera, përkundër që ato kanë sistem shumë të mirë shëndetësorë pandemia i ka kolapsuar.

“Ne kemi mësuar pak a shumë me mangësitë apo mos marrjen e masave nga disa shtete në Evropë. Mirëpo ne nuk kemi sistem shëndetësor si ato vende. Madje sistemi i Britanisë ka kolapsuar. E ne kolapsojmë vetëm sapo të rritet numri i të infektuarve”, ka thënë ajo.

Sipas saj Kosova ende nuk është në gjendje të jashtëzakonshme, dhe një situatë e tillë i jep fuqi Thaçit.

“Ne ende nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme, ne jemi në situatë emergjente, pra ende është numri i ulët krahasim me ata të rajonit. Gjendja e jashtëzakonshme i jep fuqi presidentit Thaçi, nuk mund të parashikojë se çfarë mund të bëjë ai, pasi ai shkon përtej asaj që mund ta imagjinojmë. Ne kemi lëvizje politike që e rrëzojnë një qeveri legjitime, e kjo nuk është normale. Presidenti Thaçi ka qenë në skenën politike që 20 vjet dhe ai ka menaxhuar me partitë politike, edhe tani kur është president”, ka thënë Pacolli.

Ajo gjithashtu ka shtuar se LDK-ja është duke shkuar sërish drejt PDK-së.

“LDK-ja paraqitet kinse po bën koalicion me AAK-në dhe Nismën, por kjo është vetëm një urë për të shkuar drejt PDK-së. Sepse kur ka bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje ne e kemi larguar paksa nga PDK-ja, por mbase ajo ura lidhëse u ishte dobësuar pak, e tash duhet me e forcuar prapë. Prapa kësaj e dimë që është presidenti Thaçi”, ka thënë Pacolli.

Sipas saj gjendja e jashtëzakonshme nuk e ndryshon situatën.

“Pasi kemi mungesë të stafit mjekësor. Profesionistët shëndetësor janë duke punuar jashtë orarit, e ne nuk kemi staf mjekësor as për gjendje normale. E kjo është për shkak se për 20 vjet e kanë quar Kosovën në këtë situatë. Resurset njerëzore nuk mund të bëhen për një kohë të shkurtë. Nuk po e shfrytëzojmë pandeminë, porse ne kemi njoftuar presidentin por të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të luftuar koronavirusin. Ai ka kërkuar që të dërgojmë emrin e mandatarit”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka shtuar se Kosova është ndër vendet që e kemi sistemin shëndetësor më të dobëtin në rajon, dhe po del më së miri, e kjo për shkak të punës së palodhshme të Ministrisë e të stafit mjekësor. “Ne duhet të hapur t’iu ndihmojmë e jo të hapin kriza politike”, ka thënë ajo.

Sipas saj secila qeveri e ri do të përkeqësonte situatën me Covid-19.

“Ne kemi thënë se do ta dërgojmë një letër Thaçit në një periudhë të afërt. Nuk është e ngutshme që të krijohet një qeveri e ri, pasi cilado qeveri e ri do të ngadalësojë punën në situatën aktuale. Ne po mundohemi që të jemi sa më afër qytetarëve dhe çdo qeveri e re do të ngadalësonte këtë situatë, mbase edhe do ta përkeqësonte. Presidenti në letrat që ia ka dërguar kryeministrit ka përmendur nenet si në vitet 2010 e 2014, dhe vepron në kundërshtim me to. Ne kemi kërkuar që të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka përmendur edhe mocionet e mosbesimit, pas së cilave gjithnjë ka pasur zgjedhje.

Pacolli nuk ka përjashtuar as mundësinë që çështja do të dërgohet në Kushtetuese, nëse formohet një Qeveri e ri pa Vetëvendosjen.

“Nuk mundet as LDK-ja as PDK-ja ta ndryshojë vullnetin e popullit dhe kur të piqen kushtet atëherë do të shkojmë në zgjedhje. Ne do të shohim të gjitha mundësitë që të ndalojmë një veprim jokushtetues. Prandaj do të qëndrojmë përkrah vullnetit të qytetarëve, dhe ne do të përdorim të gjitha vendimet ligjore, përfshirë edhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të tillë në një situatë të tillë më herët, s’mund të marrë vendim tjetër pasi tashmë kemi precedentë”, ka thënë Pacolli.

Sipas saj e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet.

“Duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, sepse e dimë se vota e qytetarëve ka qenë për ndryshim. Ne e LDK-ja kemi thënë se do të bëjmë koalicion me njëra-tjetrën. E LDK-ja ka qenë poashtu edhe kundër PAN-it. Prapë LDK-ja vendosi kundër vullnetit të qytetarëve. Ata mund të thonë se janë kundër PDK-së por janë veprimet ato që llogariten. LDK-ja ka tentuar ta shfrytëzojë këtë hapësirë për t’u dukur pro-amerikane, e Vetëvendosjen ta paraqesë anti-amerikane. Tashmë e shohim se LDK-ja e ka shkelur vullnetin e qytetarëve. Ajo bëri mocionin për të bërë kalkulime. Nuk mundet me u cilësuar disa parti pro-amerikane ato të cilat e kanë zhvatë këtë shtet. LDK-ja po tregon se prapë po bën marrëveshje me partitë e PAN-it. Ajo po tenton me i kthyer partitë që i ka ndëshkuar populli”, ka thënë Pacolli.

Sipas saj qytetarët tashmë kanë ngritur një shkallë të lartë të vetëdijësimit dhe tashmë nuk u besojnë çfarëdo premtimi të partive politike.

Kurse për vendimin e Sveçlës për t’iu dhënë leje deputetëve që të lëvizin, ajo thotë se, “ishte administrata e Kuvendit ajo që i kishte kërkuar Sveçlës të lëshojë një vendim të tillë”.

Gjithashtu ajo ka thënë se për 20 vjet kryeministrat e tjerë kanë shkatërruar sistemin shëndetësor, e madje edhe vet ata, ose të afërmit e tyre kanë marrë tretman mjekësor jashtë vendit.

“Kur minsitri Vitia ka shkuar në Ministri nuk ka pasur masa rezervë. E kur nuk i ke ato rezerva nuk e di se si mund të funksionosh si shtet. Tash më kujtohet se e patëm kundërshtuar kur kryeministri Haradinaj në atë kohë e kishte dërguar nënën e tij për shërim jashtë shtetit, dhe kjo u pat ngritë si dilemë por nuk është diskutuar shumë. Paramendo në një vend evropian kur një kryeministër e dërgon prindin e tij apo veten për shërim jashtë shtetit, e kemi edhe zotin Mustafa që kishte shkuar për shërim jashtë shtetit. Qytetarët nuk e kanë një mundësi të tillë. Ne duhet ta ndryshojmë këtë mendësi”, ka thënë Pacolli.