Pacolli i kundërpërgjigjet Mustafës: Nuk ke nevojë të derdhësh lot krokodili, je i njëjti që tradhëton qytetarët

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli i është kundërpërgjigjur kreut të LDK-së, Isa Mustafa, pasi ky i fundit tha se është kulmi i idiotësisë individuale e kolektive, i mungesës së edukatës minimale familjare, të flitet ashtu për nënën e Haradinajt.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nuk është turp të thuash të vërtetën, turp është të shfrytëzosh të mirat e shtetit vetëm për veten dhe familjen e afërt.

“Turp është kur nën qeverisjen tënde e të partisë tuaj keni lejuar e kontribuar në degradimin e sistemit shëndetësor. Pa rrugëdalje shumë prindër mbushnin sheshet me megaphonë e rrjetet sociale me lutje për të kërkuar ndihmë për shërimin e fëmijëve të tyre. Fëmijë të këtij vendi, jeta e të cilëve varej vetëm nga vullneti i zemërmirëve. Shteti i rrënuar, për rrënimin e të cilit bartni edhe ju një pjesë të përgjegjësisë, nuk mund t’i ndihmonte”, thotë Pacolli.

Ajo i drejtohet Mustafës me “nuk po di se kujt po i mungon edukata familjare dhe e traditës kombëtare, mua apo juve?”

“Nëpër spitale njoftimet në hyrje se u mungojnë medikamentet bazë sikur përshëndetnin pacientët. Kjo ishte një mënyrë që mjekët tu kërkonin pacientëve të varfëruar deri në palcë se duhej ti blinin ato nëse e duan shërbimin. Ata nuk kishin vend tjetër përveç shtetit të tyre që i kishte braktisur. Por, Ju kishit mundësi të tjera. Mund të mjekoheshit edhe jashtë shtetit.

Mua që flas për mungesën e një sistemi publik shëndetësor që ofron përkujdesje cilësore për të gjithë apo juve që po arsyetoheni se nuk keni pasur nevojë të pyesni askënd për mjekimin tënd jashtë shtetit të cilin ju e keni udhëhequr për një kohë?

Mua që po kërkoj përgjegjësi tek ata, përfshirë edhe juve, që na mohuan të drejtën të kemi sistem publik të zhvilluar shëndetësor apo juve që kërkesën time për përgjegjësi po e quani logjikë fashiste?”, ka shkruar Pacolli.

Më tej ka thënë se me veprimet e tij Mustafa po tregon se ka mbetur po i njëjti, siç thotë ai që hedh gurin dhe fsheh dorën.

“Për ju qenka logjikë fashiste. Për mua është e detyrë e përgjegjësi e secilit që zë pozitat udhëheqëse të punoj për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Ai/ajo që vendos për shërbimet publike që i ofrohen qytetarëve nuk ka logjikë që vet t’i braktisë e të marrë shërbime tjera më të mira për veten dhe familjen e tij/saj.

Ai/ajo që keqpërdor paranë publike e investon vetëm në projekte ku mund të ndaj tallin e nuk i intereson fare për shërbimet publike e për përparimin dhe avancimin e shtetit nuk mund të udhëheq shtetin.

Nuk ke nevojë të përdorësh ura lidhëse për tu afruar me PDK-në. Nuk ke nevojë as të derdhësh lot krokodili për ata që dikur i akuzoje për krime. Qytetarët tani të njohin mirë. Je po i njëjti, përsëri për interesa tua dhe të dostit tënd tradhton besimin e qytetarëve”, ka shkruar në fund Pacolli.