Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër në largim, ka akuzuar zëvendëskryeministrin tjetër në largim Enver Hoxhajn, se kishte mashtruar për punën e taksës.
Duke folur për vendimin për taksën dhjetë për qind ndaj produkteve serbe, Pacolli ka thënë se Hoxhaj ishte zotuar se ka marrë miratim të ambasadës amerikane për këtë çështje. Megjithatë, sipas Pacollit, kjo s’doli të jetë e tillë.
“Në seancë pash se ishte në rend dite. Kam afër zotin Hoxhaj. E pyes, sepse ai donte të merrte privilegjin me anoncu se ishte ai që e propozon taksën. Unë i thash ‘të lutem Enver çka është kjo punë’. Në pyetjen time u koncentrua edhe kryeministri edhe zëvendëskryeministri Limaj. Më tha ‘e kam kryer me amerikanët. Vetëm sa erdha nga ambasada, kam diskutuar me amerikanët, është kryer kjo punë, ecim përpara’. Ne votojmë të gjithë, u bë vendim i mirë, sepse na konvenonte duke pa sjelljet e Serbisë, dhe isha i sigurt se kjo u diskutua me ambasadën amerikane, por doli që s’ishte e vërtetë, që askush s’kishte diskutuar me ambasadën amerikane”, ka deklaruar Pacolli.
“Për mua quajeni mashtrim, gënjeshtër, apo si të doni, por s’ishte e vërtetë. Kjo është e vërteta. S’isha vetë, ishim disa që e dëgjuam”, vazhdoi ai.
Pacolli po ashtu ka thënë se vendimi për taksën 100 për qind “ishte efektiv për dy muajt e parë e më pas u banalizua”.
Behgjet Pacolli në Rubikon të KTV-së ka thënë se ndonëse e votoi vetë, taksa ishte gabim, duke shtuar se “mallrat serbe ishin të pranishme në Kosovë me ambalazh të vendeve të tjera”.







