Pacolli druan se Afrika dhe Oqeania mund ta lënë Kosovën pa anëtarësim në Interpol

Synimet e kamotshme të Kosovës që të jetë pjesë e organizatës më të madhe ndërkombëtare për bashkëpunim policor – INTERPOL ka mundësi të dështojnë edhe këtë vit. Janë 18 shtete nga Oqeania, të cilat sipas zyrtarëve të diplomacisë kosovare nuk do të mund të marrin pjesë në Asamblenë e INTERPOL-it shkaku i shpenzimeve, vota e të cilave do të ishte determinuese për anëtarësimin e vendit në organizatën ndërkombëtare të Policisë.

Kosova ka pak gjasa që edhe gjatë këtij viti të futet në agjendë për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Sigurisë (INTERPOL), e cila mban punimet prej sot pra 15 deri më 18 tetor në Kili.

Mospjesëmarrja e shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare në Asamblenë e Përgjithshme e INTERPOL mund t’i kushtojë vendit me mos anëtarësim. Kështu po deklaron për Express shefi në detyrë i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli.

Pacolli ka lënë të kuptohet se mungesa në Asamble e këtyre 18 shteteve mund t’i kushtojë Kosovës me mospranim në Interpol.

“Ne në koordinim me Qeverinë jemi duke punuar në këtë drejtim. Unë e shoh një problem mos ardhjen e 18 shteteve që na kanë njohtë nga Oqeania. Ata siç duket nuk do të mund që të marrin pjesë. Shkaku janë largësia e shpenzimet. Në Asamble po ashtu do të mundojnë edhe disa shtete afrikane të cilat po ashtu na kanë njohtë”, ka deklaruar Pacolli.

Tutje ai ka thënë se zyrtarë nga Qeveria e Kosovës po i kontaktojnë disa shtete për të diskutuar rreth qëndrimeve të tyre karshi anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Ne po i vlerësojmë të gjitha notat verbale që i kemi. Për anëtarësim ju e dini që duhen 2/3 e shteteve prezentë dhe për fat të keq ne sot kemi të bëjmë me shtete që nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaron Pacolli.

Ai ka folur edhe për lobimin që po e bëjnë autoritetet serbe për mos pranimin e Kosovës në Interpol. Sipas tij, Serbia po lobon për edhe në shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën.

“….po tentojnë edhe tek shtetet që e kanë njohur Kosovën, kanë çu delegacione por është e kotë. Ne në anën tjetër jemi në kontakt me këto shtete, po i kontaktojmë në mënyrë që t’i bindim mos ta ndërrojnë qëndrimin”, ka deklaruar Pacolli.

Në Lyon të Francës në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit në qershor ishte debatuar rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe është vendosur në favor të dërgimit të dosjës së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Kili. Ditë më parë nikoqirët nga Kili ua kanë dërguar ftesat zyrtarëve të Kosovës, për të marrë pjesë në takimin vjetor të 88 të vendeve të kësaj organizate.

E megjithëkëtë njohësit e çështjeve të sigurisë po e vlerësojnë si të dështuar përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Kështu po deklaron për Gazetën Express, Behar Selimi, ish-drejtor i policisë së Kosovës, tash Behar eksperti i çështjeve të sigurisë. Ai thotë se edhe këtë vit sipas të gjitha gjasave aplikimi do të dështojë. “Unë në bazë të analizave dhe punëve që po bëhen rreth procesit mund të ju them se edhe ky vit, do të jetë vit i humbur për anëtarësim në Interpol”, thotë Selimi.

Megjithatë, ai deklaron se Kosova është e përgatitur profesionalisht për anëtarësimin jo vetëm në INTERPOL, por edhe në organizata të tjera më të mëdha të sigurisë në botë.

“Unë mendoj se organizata jonë policore i ka përmbushur kriteret shumë vite më parë dhe ëshë shumë më kompetente se gjysma e organizatave policore të shteteve anëtare të Interpolit. Në këtë fushë nuk na mungon kompetenca as profesionale as organizative, edhe për INTERPOL edhe për organizatat tjera, duhet të kenë parasysh”, deklaron ai.

Ndërkaq Angola do të jetë vendi raportues, i cili do të merret me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Të dyja këto vende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. E tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

loading…