Kandidati për president nga radhët e listës LDK-AKR, Behgjet Pacolli në ditën e fundit të fushatës ka bërë homazhe tek varri i legjendës, Fadil Vokrri.
Së bashku me presidentin e AKR-së, Pacolli ishin edhe të gjithë kandidatët e këtij subjekti për homazhe, shkruan Ballkani.info.
Pacolli tha se Vokrri ishte një njeri që duhet marrë shembull secili, sportist i veçantë që bëri shumë për sportin dhe Kosovën në përgjithësi.
Ish-presidenti tha se sporti do të jetë pasqyrë e qartë e vizionit evropian, dhe se homazhet e tij tek varri i Vokrrit tregojnë një indikacion që ai dhe subjektet e bashkuara LDK-AKR, do i kushtojnë rëndësi të veçantë sportit në përgjithësi.
Pacolli është kandidat për president në këto zgjedhje, si dhe kandidat për deputet. Ai përfaqësohet me numrin 5 në listën e LDK-së.

















