Pacientët me COVID po shpenzojnë qindra euro për ilaçe, Zemaj thotë se të gjitha janë në spitale

Derisa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar ditë më parë se çdo pacienti që është i infektuar me COVID-19 dhe është i hospitalizuar në QKUK e spitalet rajonale, i sigurohet terapia (përveç barit Remdesivir), pacientët në Kosovë kanë shpenzuar qindra e mijëra euro për terapi.

Qindra e mijëra euro pacientëve në Kosovë u kanë kushtuar terapitë për COVID-19, përkundër që janë trajtuar në institucionet publike shëndetësore në vend.

Derisa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, po thotë se pacientëve ua kanë siguruar gjithë terapinë e nevojshme për trajtimin e COVID-19, një nga pacientët e infektuar me këtë virus, ka treguar për Express se deri në 50 euro i ka kushtuar terapia ditore në Spitalin e Gjilanit.

Përkundër që disa ilaçe i ishin siguruar nga ky spital, ai thotë se kishte edhe shumë të tjera që i duhej t’i siguronte vet.

Aq më shumë, edhe pse gjendja e tij është përmirësuar dhe tani është lëshuar për trajtim mjekësor në shtëpi, ai tregon se ka vazhduar të blejë vetë edhe më tej disa ilaçe.

Ai është dashur të blejë vetë Imipenem / cilastatin, i cili është një antibiotik i dobishëm për trajtimin e infeksioneve, i cili i ka kushtuar 13 euro e 60 cent.

Ndërsa, ka blerë vetë edhe Fraxiparinën, e cila përdoret për të parandaluar mpiksjen e gjakut.

Se pacientëve nuk u sigurohen të gjitha ilaçet e nevojshme për trajtimin e COVID-19, e kanë pranuar edhe nga spitalet rajonale në Kosovë.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Ukshin Ismajli ka thënë për Express se për momentin kanë mungesë të Imipenemit.

Ndërsa, ai është shprehur se tani për tani kanë furnizim me Fraxiparinë.

Ky spital para pak kohësh ka pasur mungesë edhe të ilaçit Favipiravir, i cili është treguar efektiv në trajtimin e rasteve të infektuara me këtë virus.

Ndërsa, drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, ka thënë se janë të obliguar të sigurojnë barnat nga Lista Esenciale e Barnave, por që një pjesë të tyre e sigurojnë edhe vetë pacientët.

Ai ka treguar se ilaçin Favipiravir mjekët në këtë spital nuk e kanë përshkruar për pacientët.

Por, Fraxiparina e cila është përdorur nga pacientët me COVID-19, tashmë është shpenzuar në këtë spital.

“Ne në spital jemi të obliguar të kemi barnat dhe materialin shpenzues nga Lista Esenciale. Ato mundohemi që t’i sigurojmë, ndërsa një pjesë të barnave e sigurojnë edhe pacientët vetë.  Favipiravirin nuk e kanë përdorur mjekët, Fraxiparina ka ardhur e është shpenzuar dhe presim furnizim”, ka thënë ai.

Edhe nga Spitali i Pejës kanë bërë të ditur se për momentin nuk kanë Fraxiparinë, dhe se janë në pritje të furnizimit me të.

“Sa i përket ilaçeve për momentin Fraxiparin nuk kemi dhe deri para disa ditëve kemi pasur. jemi ne pritje te sasisë se re këto ditë”, është thënë nga zyra për informim në këtë spital.

Ndërsa, drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Sadik Fejza, ka thënë se janë në minimum të furnizimit me Fraxiparinë.

Edhe ai ka thënë se i kanë disa mungesa në furnizim, por që nuk po ju krijojnë ndonjë vështirësi.

Kujtojmë që për një kohë të gjithë, spitalet rajonale kanë pasur mungesë edhe të oksigjenit, i cili është shumë i nevojshëm për pacientët me COVID-19.

Tek para disa ditësh është zgjidhur çështja e furnizimit me oksigjen.