Analisti politik

Paçarizi: Kurti si fitues absolut i zgjedhjeve duhet të jetë më pak arrogant

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë që ekziston mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sërish, edhe pse sipas tij, kjo gjë do të ishte e panevojshme.

“Votat janë të qarta, Lëvizja Vetëvendosje del me gati 50 % të votave të përgjithshme, por VV-ja e ka kaluar në një masë të madhe 50 përqindëshin e votave shqiptare.  Nuk mendoj që partitë e tjera politike, ato që i kanë humbur zgjedhjet, do të duhej të merreshin më me ketë çështje”.

Paçarizi në Rubikon, tha që kur është puna te qeveria nuk ka dyshime, por çështja e presidentit duhet të diskutohet.

“VV-ja është fituese dhe duhet ta bëjë qeverinë e re pa koalicion me partitë tjera, të cilat nuk kanë shfaqur ambicie për të qenë pjesë e qeverisë, përveq AAK-së që e ka synimin për presidentin. Kur është puna te qeveria nuk ka asnjë dyshim, por kur është puna te presidenti ka nevojë për diskutim”.

“Partitë politike duhet të tregojnë konstruktivitetin e tyre qoftë këto të opozitës, qoftë Kurti si fitues absolut i zgjedhjeve. Partitë politike nuk kanë zgjidhj tjetër, pasi do ndëshkoheshin edhe më shumë nëse do ta pengonin procesin e zgjedhjes së presidentit”.

Paçarizi thotë që e sheh si problem arrogancën që sipas tij po e shfaq Kurti kohëve të fundit.

“Albin Kurti si fitues absolut i zgjedhjeve, duhet të jetë më pak arrogant seç ka qenë ditët e fundit, pasi mesazhet që i ka përçuar më kanë lënë përshtypjen sikur do të provokojë me qëllim një krizë te çështja e presidentit; qoftë për t’u tërhequr dhe shmangur nga telashet të cilat i kanë rënë në qafë, të cilat janë akumuluar në Kosovë si çështja e dialogut, çështja e ambasadës në Izrael dhe presioni prej Turqisë”.

“Fakti që ai këmbëngul që presidente do të jetë Vjosa Osmani, mendoj që në një anë është veprim i duhur, pasi ka nënshkruar marrëveshje me të për këtë post, por nën anën tjetër një diskurs më i butë me partitë tjera që do të mund të kenë pretendime eventuale, do të ishte më relaksues dhe do ta siguronte masën e nevojshme prej 80 deputetësh. Edhe pse nuk besoj që parttitë që i kanë humbur zgjedhjet nuk e kanë guximin për t’i hyrë një aventure të tillë, për të penguar zgjedhjen e Osmanit për presidente të vendit”, theksoi ai.