Gazetar: Erdonit HOXHA
Lajmin për instalimin e gypave për t’u ngrohur nga ana Termokosit, M.V, banor i rrugës ‘Tringë Smajli’ në kryeqytet, e kishte mirëpritur.
Por, i njëjti, thotë se në këtë periudhë të dimrit, ka mbetur i sëmurë nga të ftohtit, pasi, ngrohtorja e kryeqytetit, nuk e ka lëshuar akoma sistemin ngrohës, ndonëse instalimi i gypave u bë.
Në një bisedë për Ballkani.info, ky banor i kësaj rruge, tha se premtimi ka qenë që ngrohja do fillojë pas Vitit të Ri, por, një gjë e tillë, s’ka ndodhur akoma.
“Muaj më parë ka nis instalimi i gypave, kurse, nëpër banesa, sidomos në objektin ku unë jetoj, në mes të dhjetorit u bë edhe instalimi për brenda. Pastaj, neve na kanë thënë se pas Vitit të Ri, do fillojë ngrohja, por, një gjë e tillë s’ka ndodh akoma. Unë personalisht edhe jam ftohur, pasi, gjatë instalimit, e kanë bllokuar edhe sistemin me u ngrohë me rrymë, qysh kemi bërë çdo vjet. Tash, u bë 9 janari dhe akoma s’kem ndonjë informacion, madje, as telefonin s’po na hap Termokosi”, tha M.V.
E ndonëse jo kompania, për fillimin e ngrohjes me Termokos në këtë rrugë, ka folur zëdhënësja e kësaj kompanie, Afërdita Uka.
Në një përgjigje për Ballkani.info, Uka tha se janë vetëm disa objekte që ende nuk kanë ngrohje, pasi, janë duke u marrë me procedurat komplotuese dhe se furnizimi do nis brenda muajit janar.
‘’Për pjesën më të madhe të objekteve banesore nëpër lagjet, të cilat kanë qenë përfituese nga Projekti për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, tashmë kanë përfunduar të gjitha punët për shtrirjen e rrjetit, vendosjen e nënstacioneve të ngrohjes dhe si rrjedhojë ka filluar furnizimi me ngrohje. Janë vetëm disa objekte, që janë në procedurë të kompletimit të gjitha paisjeve përcjellëse për funksionalizimin e nënstacioneve të ngrohjes (ndonjë kabllo apo orë rryme), të cilat brenda këtij muaji do të finalizohen dhe do të fillojë furnizimi me ngrohje. Pra, nuk bëhet fjalë për kurrfarë vonese, pasi që jemi brenda afateve të planifikuara për fillimin e furnizimit me ngrohje edhe për këto objekte, që bëjnë pjesë në numrin prej 10 mijë njësive banesore, që janë kyçur në rrjetin e ngrohjes në kuadër të Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes’’, tha ajo.
Përpos se kur do ngrohen me Termokos, banorët që janë kyçur për herë të parë në ngrohtore, nuk kanë ide se si do paguajnë, pasi, ata që ishin kyçur më herët, paguajnë në bazë të sasisë që shpenzojnë, sepse, atyre u janë vendosur matësit/termometërit vitin e kaluar.
Për këtë çështje, është pyetur Uka, e cila ka shpjeguar se si do paguajnë banorët që janë kyçur në këtë vit.
Pra, cilave tarifat për subjektet banesore janë 0.76 euro plus TVSH për m/2, ndërsa për konsumatorët afarist dhe institucional 0.95 euro plus TVSH.
“Në fillim të muajit tetor, para fillimit të këtij sezoni ngrohës, nëpërmes kanaleve tona të komunikimit me konsumatorë dhe mediave kemi njoftuar se bazuar në rekomandimet e ekspertëve dhe mbikëqyrësve të pavarur sezoni ngrohës 2023/2024 do të jetë faze testuese e metodës së faturimit, sipas konsumit. Kjo fazë do t’i mundësojë NP “Termokos”-it dhe ZRRE-së, që të realizojë të gjitha analizat teknike, financiare dhe softuerike për të mundësuar një trasnizicion sa më të sigurtë nga metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse në metodën e re sipas konsumit.Konsumatorët tanë asnjëherë nuk janë faturuar paushall, por sipas sipërfaqes ngrohëse të banesave të tyre. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), që është i vetmi autoritet që përcakton tarifat e energjisë termike nga mesi i muajit tetor ka miratuar strukturën tarifore për sezonin ngrohës 2023/2024, bazuar në të cilin vendim NP “Termokos” ka vazhduar edhe këtë sezon ngrohës me tarifat e njëjta për konsumatorë, sipas të cilave tarifat për subjektet banesore janë 0.76 euro plus TVSH për m/2, ndërsa për konsumatorët afarist dhe institucional 0.95 euro plus TVSH”, përfundoi Uka.
Kujtojmë që, qe nga dje temperaturat në vend kanë nisur të bien në minus gradë celcius. /Ballkani.info/






