“Pa ata që na çliruan”, reagime për bojkotin e ambasadorëve të QUINT-it në festën e Ditës së Çlirim

Në ditëlindjen e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, vendi është përballur me një goditje të rëndë. Pas pezullimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender Europe 2023”, ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë vendosur të bojkotojnë pritjen zyrtare të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani për të festuar 12 qershorin, Ditën e Çlirimit të Kosovës. Ky veprim ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm në opozitë dhe opinionin publik të Kosovës.

Vendimi i ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) për të bojkotuar këtë ngjarje të madhe për Republikën e Kosovës po konsiderohet masë “ndëshkuese” për shkak të mosdëgjimit të Kosovës ndaj këshillave dhe rekomandimeve të SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë lidhur me situatën në veri të vendit.

Reagimet ndaj bojkotit të ambasadorëve të QUINT-it kanë qenë të shumta. Jehona Lushaku-Sadriu, kryetarja e Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani për mungesën e bashkëpunimit duke e quajtur këtë “humbje për Kosovën” nga “paditura dhe kryeneçësia” e Kurtit dhe Osmanit.

Ndër reagimet tjera ka qenë ajo e aktivistes Flutura Kusari, e cila në një postim në Facebook ka theksuar paradoksin e festimit të Ditës së Çlirimit pa pjesëmarrjen e atyre që e mundësuan çlirimin. Ajo ka shkruar: “Festa e Çlirimit pa ata që na e mundësuan Çlirimin”.

Gjithashtu, analisti Halil Matoshi e ka quajtur bojkotimin e ambasadorëve të QUINT-it si “sanksion ndërkombëtar” dhe ka theksuar se ky veprim tregon mosmarrëveshje mes kryeministrit Kurti dhe aleatëve të tij.

“Edhe Ibrahim Rugova edhe struktura tona, ndonëse jo me pushtet faktit, s;kanë ba asnjë pritje shtetërore pa shefat e huaj, sidomos pa shefin e zyrës amerikane në Kosovë, por edhe të tjerë. Rugova thojke që shtëpia s’mahet pa miqë. Unë po e shoh në mënyrë ironike. Sekuentimi i Ohrit ka fillluar të zbatohet nga pika 11, e cila thotë që palët që shmanëg nga zbatimi i marrëveshjes, do të ndëshkohen. Nëse nuk janë të gjithë ambsadorët e QUINT-it është sanksion, s’ka dilemë”, – ka deklaruar Matoshi në “Politiko”

Fidan Rama, një analist tjetër i njohur, ka shprehur shqetësimin se kryeministri Kurti mund të mos marrë ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, e cila zakonisht organizohet nga ambasada amerikane në Prishtinë më 4 korrik. Rama ka shtuar se mungesa e Kurtit në këtë ceremoni do të ishte një sinjal i rëndësishëm për ambasadën amerikane.

“Kurti në këto momente, rrezikon edhe të mos marrë ftesë fare në ceremoninë vjetore që organizohet nga ambasada amerikane në Prishtinë, por edhe nëse merr pjesë mund t’i ndalohet fjalimi aty. Sivjet rrezikon edhe të jetë prezent. S’ka sinjal më të madh sesa ky. Kush s’merr pjesë në atë organizim, kjo për amabsadën është një prej organizimeve më të rëndësishme”, – ka pohuar Rama mes tjerash në “Politiko”

Reagim pati edhe nga zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi e cila tha se qytetarët janë të shqetësuar për mungesën e ambasadorëve ne këtë ceremoni, pikërisht në ditën që si sot 24 vjet më parë ata na ndihmuan të çlirohemi.

Tutje ajo ka thënë se krejt kjo situatë vjen si rezultat i kryeneqësisë së këtij pushteti.