OVL-UÇK: Mbrëmë na thiri Specialja, nuk ua japim dosjet vetëm nëse na ngrehin zhag

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka njoftuar se mbrëmë janë paralajmëruar nga Dhomat e Specializuara që zyrat e OVL-së do bastisen sërish, në kërkim të dosjeve të reja që u sollën nga një person i panjohur.

Por, për dallim prej herës së parë, kur Specialja mori rreth 4 mijë dosje me emra të dëshmitarëve nga kjo organizatë, Haradinaj thotë se kësaj radhe nuk ua japin pa praninë e Policisë së Kosovës ose siç thotë ai, pa i tërhequr zvarrë.

“Mbrëmë rreth orës 19:00 na ka telefonuar dikush nga Dhomat e Specializuara dhe na ka paralajmeruar se do të vijnë t’i marrin dosjet. Herën e parë ua kemi dhënë, kësaj radhe jo pa Policinë e Kosovës ose nëse na ngrehin zhag.”, tha Haradinaj para medieve.

Ditën e djeshme u sollën dokumente të tjera të Gjykatës Speciale në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kreu i OVL UÇK, Hysni Gucati tha se personin që i solli ato e kanë pagëzuar me emrin “Rrufeja”, pasi që po largohet shpejt dhe po është i pamundur identifikimi i tij.

Gucati ka konfirmuar se në këto dokumente ka dosje të Speciales, si dëshmitarë dhe elemente që tregojnë se dëshmi ka ofruar edhe shteti serb.

E lidhur me këtë ngjarje, sot hetuesit e Gjykatës Speciale, pritet të vizitojnë sërish zyrat e OVL-UÇK, në kërkim të dosjeve të reja.