Ministri i Jashtëm i RMV

Osmani në Spanjë: Kosova është vend i pavarur me demokraci të gjallë

Ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani në fjalimin e sotëm në akademinë verore “Quo vadis Europa?”, në Santander të Spanjës, organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Borrell dhe Universiteti Ndërkombëtar Menendez Pelayo, tha se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është interes parësor edhe për vetë sigurinë e BE-së, njoftojnë nga MPJ.

“Një Evropë prosperuese dhe e unifikuar në paqe mund të arrihet vetëm me një Ballkan Perëndimor prosperues dhe të unifikuar në paqe. Në këtë kontekst, ky paraqet një rast të rrallë të interesit dukshëm të ndërsjellë si për BE-në ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor. Politikisht, ekonomikisht, kulturalisht, madje edhe gjeografikisht jemi pasagjerë në të njëjtën anije”, tha Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Osmani, theksojnë nga MPJ, iu referua fokusit të shtuar ndaj rëndësisë së zgjerimit të BE-së, duke theksuar se ekziston një konsensus mes shteteve të rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së se megjithatë ky fokus ende nuk është i mjaftueshëm.

“20 vjet pas Samitit në Selanik, ne kemi nevojë urgjente për një vizion afat-mesëm për rajonin tonë në korniza të Unionit”, nënvizoi Ministri.

Osmani theksoi se definimi i një rruge të qartë për zgjerimet e ardhshme me vendet e Ballkanit Perëndimor me vitin 2030 si synim të përcaktuar, paraqet një interes të lartë sigurie për vetë BE-në.

Njëherit, duke iu referuar nevojës për përfitime konkrete për qytetarët tanë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, e përshëndeti planin e ri të zhvillimit për Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bazuar në konceptin “Më shumë integrim para anëtarësimit në BE”.

“Deri në anëtarësimin e plotë në BE, kemi nevojë për një vizion të përforcuar së bashku me hapa të besueshëm dhe realistë me qëllim avancimin e zhvillimit demokratik, përmirësimin e mundësive ekonomike dhe për inkurajimin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor. Ato nënkuptojnë rritje të fondeve të para-aderimit, qasje progresive në tregun e përbashkët, thellim të integrimit ekonomik rajonal, heqje të kuotave për produktet bujqësore dhe përfshirje të vendeve të rajonit në politikat tregtare dhe investuese të BE-së”, tha Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani dërgoi porosi për Beogradin nga Spanja.

“Më pyetën për Kosovën. Kosova është një vend i pavarur, një demokraci e gjallë që në 15 vjet të ekzistencës së saj e ka kaluar testin e demokracisë dhe e ka dëshmuar veten si një partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut e ka njohur Kosovën dhe ka zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale me të” iu përgjigj Osmani pyetjes së publikut në Santander.