Kosova-Turqia

Osmani thotë se Kosova dëshiron rritje të bashkëpunimit me Turqinë

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Turqinë në disa fusha, si në ekonomi, mbrojtje e politikë të jashtme.

Ajo këtë e ka thënë gjatë takimit që ka zhvilluar me ambasadorin e këtij vendi në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Turqi. Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për intensifikim të bashkëpunimit me Turqinë, në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, mbrojtjen dhe politikën e jashtme”, ka thënë Osmani thuhet në komunikatën e Presidencës.

Osmani, po ashtu, potencoi rolin e rëndësishëm të komunitetit turk në Kosovë.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Tunç Angılı diskutuan edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, me ç’rast Presidentja e falënderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme.