Presidentja

Osmani takoi Davenportin, folën për zhvillimet e fundit në veri të vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport me të cilin foli për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Në komunikatën e Zyrës së Presidentes, thuhet se Osmani ka falënderuar partnerët për solidaritetin dhe përkrahjen ndaj Kosovës pas, siç thuhet, sulmit terrorist të organizuar dhe mbështetur nga Serbia

“Presidentja Osmani falenderoi partnerët për solidaritetin dhe përkrahjen ndaj Kosovës pas sulmit terrorist të organizuar dhe mbështetur nga Serbia dhe nga i cili humbi jetën, heroi i Kosovës, rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë”.

“Presidentja ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë për punën e shkëlqyeshme dhe koordinimin, si dhe ka potencuar që është me rëndësi që ky koordinim të vazhdojë në mënyrë që të parandalohen sulme të reja”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se Osmani ka theksuar edhe që Kosova vazhdon të mbetet e përkushtuar për paqe e stabilitet, integrim dhe gjithëpërfshirje të komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

“Siç potencoi Presidentja, është shumë me rëndësi që Serbia të mbahet përgjegjëse për këtë sulm dhe të ndërmerren masa ndaj saj, në mënyrë që mos të lejohen sulme të tilla në të ardhmen”, thuhet tutje në komunikatë.