Osmani: Serbia po vazhdon me kampanjat korruptive të bllokimit të njohjeve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në Konferencën e 6-të të Ambasadorëve në Prishtinë, ka treguar për sfidat që ka pasur politika e jashtme e Kosovës këtë vit.

Osmani ka thënë se Kosova ka qenë e sfiduar në katër drejtime.

“Serbia ka vazhduar me veprimet aktive kundër pozitës sonë ndërkombëtare, nëpërmjet kampanjave korruptive të bllokimit të njohjeve të reja dhe të bllokimit të anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare. Këto veprime të Serbisë i kemi luftuar bashkë me shtetet aleate, e kemi marrë hapa konkret drejt krijimit të kanaleve komunikimit me shtete jonjohëse, dhe këtë vit siç e dini kemi paraqitur kërkesë për anëtarësim në Këshill të Evropës e anëtarësim në BE”, ka thënë Osmani.

Ai ka thënë se sfida e dytë ka qenë veprimet e Serbisë në veri kundër rendit Kushtetues të Kosovës.

“Shtyu serbët në veri të braktisin institucionet e Kosovës nëpërmjet kërcënimeve, detyrimeve, sulmeve, por edhe joshjeve në disa raste. Këto veprime synojnë destabilizimin e vendit dhe krijimin e vakumit institucional në veri”, tha Osmani.

Por, ajo ka shtuar se pretendimet territoriale të Serbisë në raport me Kosovën kurrë s’do të realizohen.

“Me këto, vetëm sa do të shtohen veprimet tona për të vendosur sundim të ligjit dhe rend në çdo cep të territorit të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se e treta ka qenë bllokimi i procesit të dialogut nga ana e Serbisë, e mosimplementimi i marrëveshjeve, si ajo për personat e zhdukur me dhunë dhe marrëveshja për energjinë.

“Përkundër sfidave, Kosova, ishte palë konstruktive dhe e angazhuar në dialog. Marrëveshja finale duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin Kushtetues të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se sfida e katërt ka qenë pushtimi rus i Ukrainës.

Osmani ka treguar se kanë nisur bisedimet me shtetet aleate të NATO-s sa i përket aplikimit në Partneritet për Paqe.