“Rritja e pagës së infermierëve do të jetë masa adekuate për të parandaluar ikjen e infermierëve”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve ka pritur sot një delegacion të Shoqatës sindikale të tyre.

Përfaqësues të kësaj Sindikate kanë njoftuar Presidenten Osmani për situatën me të cilën po përballen, duke kërkuar mbështetjen institucionale për plotësimin e kërkesave të tyre.

Ata kanë thënë se rritja e pagës së infermierëve dhe rritja e shtesave për kujdestari të natës do të jetë masa adekuate për të parandaluar ikjen e infermierëve nga Kosova. 

Ndërkaq Presidentja Osmani ka vlerësuar punën e deritashme të infermierëve në përballje me pandeminë, dhe ka potencuar se shëndetësia duhet të prioritizohet edhe në aspektin e buxhetimit të saj.

Në prag të ditës së tyre, Presidentja Osmani ka falënderuar infermierët për punën, duke shprehur nevojën për trajtim të dinjitetshëm të punës së tyre.