Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë edhe çështjen e hapjes së urës mbi Ibër.
Presidenca ka njoftuar se gjatë takimit të tyre kryesisht u diskutua për zhvillimet e fundit, përfshirë këtu çështjen e hapjes së urës së Ibrit.
Madje, në diskutime me ambasadorin britanik, Osmani ka deklaruar se plani i zbatimit për hapjen e urës duhet të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve të Kosovës dhe partnerëve të sigurisë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit, përfshirë çështjen e hapjes së urës së Ibrit. Në takim, Presidentja Osmani ka ripotencuar qëndrimin e saj se hapja e urës, si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se plani i zbatimit për hapjen e urës duhet të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu, thellimi i vazhdueshëm i raporteve bilaterale dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ishin po ashtu pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm.
Presidentja më herët është takuar edhe me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge, ku mes tjerash janë diskutuar edhe hapat që duhet bërë për hapjen e urës mbi Ibër.







