Osmani përplaset me Haradinaj-Stubllën: Nëse vazhdoni kështu, atëherë nuk do ta keni më fjalën

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në seancën plenare të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ka replikuar ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Haradinaj- Stublla tha se për vetëm 50 ditë, në kohë rekord, VV ka thyer protokolle diplomatike në të gjitha nivelet.

“Po jau rikujtoj definicionin e politikës së Jashtme sipas Lëvizjes së Vetëvendosjes. Për vetëm 50 ditë, në kohë rekord, keni thyer protokolle diplomatike në të gjitha nivelet, keni shkaktuar skandale të jashtëzakonshme, në kuptimin e keq te Kosovës”, ka thënë ministrja e Jashtme.

Të menjëhershme ishin reagimet e deputetëve të VV-së.

“Qe qe kadale, se jeni bo kështu si klasa e parë edhe po duhet me iu mbajt ligjërata”, kështu iu drejtua ministrja Haradinaj-Stublla deputetëve të VV-së.

Ndërsa, kryeparlamentarja, Vjosa Osmani i reagoi ministres, duke i thënë që të ketë kujdes me gjuhën që e përdorni me deputetët e Kuvendit.

“Zonja ministre, ju lutem kujdes me gjuhën që e përdorni në raport me deputetët e Kuvendit të Kosovës. Nëse vazhdoni kështu, atëherë nuk do ta keni më fjalën”, ishte reagimi i Osmanit.