Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka folur në një konferencë për media pas takimit që ka zhvilluar me të dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Osmani është shprehur se takimi ka qenë produktiv dhe se e ka informuar Lajçak për gatishmërinë e Kuvendit të monitorojë procesin e dialogut të udhëhequr nga qeveria, siç shprehet ajo, që është i vetmi institucion shtetëror që mund të udhëheq këtë dialog, shkruan lajmi.net.
“Patëm shumë produktiv me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, natyrisht që në emër të Kuvendit shpreha gatishmërinë tonë që si kuvend të monitorojmë qeverinë në procesin e dialogut që është e vetmja që mund t’i prijë këtij procesi në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe potencova sërish që presim që ky dialog të jetë mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë.”, tha Osmani.
Më tutje, Osmani tha se Kuvendi ka miratuar një sërë rezolutash që presin të respektohen nga dialogu, si territori i Kosovës, sovraniteti i vendit dhe rendi i brendshëm kushtetues.
Gjithashtu Osmani tha se duhet të jetë e qartë agjenda e dialogut se kur dhe çfarë pritet nga ky dialog.
“Si kuvend kemi miratuar një sërë rezolutash që presim që respektohen nga qeveria që përcaktojnë qartë se nuk ka negocimi për territorin e Kosovës, sovranitetin e vendit dhe rendit tonë të brendshëm Kushtetues. Këto duhet të jenë 3 parimet udhëheqëse mbi të cilat ndërtohet parimi i dialogut. Natyrisht që së bashku me Lajçak diskutuam lidhur me pritshmërisë që i ka BE lidhur me nevojën e domosdoshme që ky proces të koordinohet me SHBA-të dhe në të njëjtën kohë të kemi agjendë të qartë se çfarë pritet dhe kur pritet të ketë rezultate”, tha Osmani.







