Osmani: Nuk kam shkelur ligjin që lëviza fotografinë e Thaçit. E ke shkelë, e shkelë!

Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka shkelur ligjin me lëvizjen e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi në një nga zyrat e saj. Sipas saj, vendosja e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova në vendin ku ishte ajo e Thaçit dhe vendosja e fotografisë së Thaçit në një hapësirë tjetër, “janë krejtësisht veprime normale”.

Madje Osmani i është përgjigjur PDK-së që reagoi sot ndaj këtij veprimi duke thënë se Osmani ka shkelur ligjin me këtë veprim. Ajo u është përgjigjur duke thënë “Shikoni kush po na flet”.

“Unë jam e bindur se secili që ka folur sot e di mirë që kam kontribuar në hartimi ne atyre ligjeve që po tentojnë t’i interpretojnë. Në të njëjtën kohë ndihem e nderuar që kam pas rastin këtu ta vendos fotografinë e arkitektit të shtetit të pavarur të Kosovës. Zhvendosja e fotografisë është në përputhje me ligjin. Zhvendosja e fotografive e figurave ndodh nga secili lider institucional. S’është ndryshimi i vetëm që do të bëj. Veprimi i parë në fakt që kam bërë ka qenë figura e Nënës Terezë që e kam sjellë këtu. Kam besuar se duhet prezencë më e madhe e grave që kanë bërë historinë. Do të sjell fotografi të grave që po na bëjnë nder sot. Gjithçka në përputhje të plotë me ligjin. S’është shkelje ligjore absolutisht. Le ta dërgojnë ku të duan e të vijnë ta shohin. S’do të duhej më pas veç interpretimi i juristëve, por edhe arkitektët. Por kur hyj në zyrë është me rëndësi ta kem këtu presidentin Rugova, por asnjëherë duke shkelur ligjin me fotografinë e presidentit aktual. S’e shoh si gjë që është e nevojshme. Kam punuar vetë në hartimin e ligjeve dhe e njoh në përpikëri. Fotografia është vendosur në përputhje të plotë aty ku e kërkon ligjin”, ka thënë ajo.

“Këta që paskan reaguar kështu po ma kujtojnë thënien e miqve amerikanë “Shiko kush po na flet”. Do të doja t’i dëgjoja më shumë përgjatë këtyre viteve kur Kosova po rrëshqiste në një shtet të kapur. S’kanë folur kur presidenti rrezikoi territorin e vendit. Sot ata që paskan folur paskan keqinterpretuar veprimin tim. S’është heqje, është lëvizje. Madje ligji nuk e kërkon që të jetë në këtë sallë e me aq do ta interpretoja. Edhe nëse e heq atë dhe e vendos në zyrën tjetër, do të ishte në përputhje me ligjin. S’e kam bërë, por kur teprohet me akuza banale është ku ishit kur ligji shkelej në mënyrë eklatante çdo vit, kur vendoseshin harta e cenohej integriteti territorial”, ka shtuar Osmani.

Ajo madje ka thënë se raportet si krerë institucionalë do t’i kenë normale. Ka thënë se qysh në ditën e parë si kryeparlamentare i ka dërguar letër Thaçit edhe pse ka shtuar se s’ka marrë urim nga ai.

“I kam dërguar letër që në mëngjes që t’i kërkoj sa më shpejtë të shtyjë procedurat për deputetët që janë bërë ministra e është esenciale që ai ta përcjellë kërkesën në KQZ. E kam nënshkruar letrën duke iu përputhur me obligimet e mija kushtetuese. Dallimet s’ishin kurrë personale, veç për tema politike. Shpresoj shumë që në këtë vit që i ka mbetur ta luajë rolin e unitetit”, ka deklaruar Osmani.

Ja pse Vjosa Osmani e ka shkelur ligjin:

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ende pa e nisur mirë mandatin e saj, ka larguar fotografinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë ditës, ajo ka thënë se nuk e ka larguar nga kabineti i saj fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, por vetëm e ka zhvendosur atë. “Nuk e kam larguar, por vetëm e kam zhvendosur në një vend me se të merituar për presidentin aktual. Unë e njoh mirë legjislacionin dhe nuk ka shkelje kushtetuese sepse nuk përcaktohet aty se në cilin cep të Kuvendit të jetë fotografia, ju do të vini dhe do ta shihni vet”, tha Osmani gjatë një vizite në QKUK.

Mirëpo, në rregulloren e Qeverisë së Kosovës Nr. 19/2011, e cila rrjedh nga Ligji për Protokollin e Shtetit, bëhet e qartë saktësisht se ku duhet të vendoset fotografia e Presidentit të shtetit. Në nenin 4, pika 3, thuhet se Fotografia në zyre duhet të vendoset në mur në vend të dukshëm apo ballor.

1. Fotografia duhet të ketë përmasat minimale 40-60cm.
2. Fotografia duhet të jetë e vendosur në kornizë.
3. Fotografia në zyre duhet të vendoset në mur në vend të dukshëm/ballor.
4. Fotografia duhet të vendoset në distancë afërsisht 2 m nga dyshemeja”, thuhet në nenin 4 të kësaj rregullore.

Gjatë ditës ka pasur shumë reagime nga PDK’ja, por edhe analistë politik, të cilët e kanë kritikuar veprimin e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.