Osmani në takim me deputetët e Bundestagut: Për LDK-në shëndetësia prioritet në Qeverinë e re

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani e shoqëruar nga Besian Mustafa, Haxhi Avdyli dhe Armend Zemaj, kanë pritur në takim anëtarët e grupit parlamentar për shëndetësi në Bundestag, Erwin Rüddel nga CDU,  Maria Klein-Schmeink nga Aleanca e të Gjelbërve si dhe Jan-Axel Voss, Zëvendësambasadori në Kosovë dhe.Jakob Fessmann, Zyra e Komitetit.

Në takimin e sotëm Osmani falënderoi deputetët gjerman për bashkëpunimin dhe kontributin e deritanishëm të Bundestagut dhe Qeverisë gjermane në të gjitha fushat e zhvillimit në Kosovë, në veçanti në fushën e shëndetësisë.

“Thellimi i bashkëpunimit tonë duhet të orientohet drejt mbështetjes në sistemet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, aparaturë, përkujdesje primare, sekondare dhe terciare si dhe në fushën e sigurimeve shëndetësore ku Gjermania ka një përvojë të gjatë e të shkëlqyeshme” u shpreh Osmani.

Duke ritheksuar rëndësinë e sektorit të shëndetësisë Osmani shtoi se “për LDK-në nuk ekzistojnë shpenzime në përkujdesin shëndetësor por vetëm investime në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.”

Një ndër fushat që parashihet të thellohet bashkëpunimi në mes dy shteteve tona është edhe shkëmbimi i kuadrove.

“Për të evituar ikjen e mjekëve dhe infermierëve të ri kosovar për në Gjermani, duhet ndërtuar kanale zyrtare ku profesionistët shëndetësor kosovar shkollohen, punojnë dhe përgatiten në kushte të barabarta në Gjermani për një periudhë të caktuar e pastaj duke ju mundësuar që të kontribuojnë edhe në Kosovë. Në këtë drejtim dhe për të thelluar transferimin e njohurive shëndetësore gjermane në Kosovë mund të avancohet edhe telemjekësia me kosto shumë të ulët financiare”, tha Osmani