Osmani në Paris u flet senatorëve francezë për rrezikun e ndryshimit të kufijve

Përmes një komunikate për media, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar për vizitën që deputetja e kësaj partie ka zhvilluar në shtetin francez.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Paris me ftesë të Ministrisë së Jashtme franceze, ka zhvilluar takime me anëtarë të Asamblesë Nacionale dhe Senatit të Francës, zyrtarë qeveritarë dhe anëtarë të shoqërisë civile në Francë.

Temë kryesore e takimeve ka qenë procesi i integrimeve euroatlantike, bashkëpunimi ndër parlamentar përmes diplomacisë parlamentare si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Në takimin e zhvilluar në Asamblenë Nacionale të Francës me Nënkryetaren e Asmblesë znj. Carole Bireau-Bonnard dhe anëtarë nga Komisioni për Punë të Jashtme, Komisioni për Mbrojtje, Komisioni i Ligjeve dhe Komisioni për Zhvillim të qëndrueshëm, z. Joachim Son-Forget, z. Pierre Vatin dhe z. Frèdèric Petit, u diskutua për rolin e Francës në këto 20 vite të ndërtimit të paqes e shtetësisë në Kosovës, pritjet nga Samiti i Parisit rreth dialogut Kosovë-Serbi, procesi i liberalizimit të vizave, mënyrat se si të thellohet bashkëpunimin ekonomik, kulturor, i sigurisë dhe ai ndërmjet komunave e shumë tema të tjera.
Deputetja Vjosa Osmani falënderoi bashkëbiseduesit për rolin e Francës për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë dhe mbështetjen konkrete dhe të gjithanshme që i ka ofruar vazhdimisht Kosovës në fushën e reformave, si dhe shprehu gatishmërinë për të intensifikuar nivelin e kontakteve politike mes përfaqësuesve të Asamblesë dhe Senatit të Francës me Kuvendin e Kosovës.

Nga ana e tjetër, senatorët dhe anëtarët e Asamblesë Nacionale të Francës shprehën të njëjtin mendim sa i takon bashkëpunimit intensiv që ekziston mes dy vendeve tona dhe nevojës për reforma të brendshme në Kosovë si dhe arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë që i kontribuon paqes e stabilitetit në rajon.

Deputetja Osmani është takuar edhe me drejtorin për Ballkan Perëndimor në MPJ-në franceze, z. Thomas Bertin, ku u diskutuan gjerësisht temat e lartpërmendura, si dhe me zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.