Osmani-ndërkombëtarëve: Të ndiqen kryerësit e krimeve në Kosovë, plagët tona s’mund të shërohen pa drejtësi

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, nëpërmjet një mesazhi drejtuar aleatëve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës, derisa i ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme gjatë pandemisë, kur edhe u godit ekonomia kosovare, ka folur edhe për gjenocidin dhe krimet e serbëve në Kosovë. Atyre u ka kërkuar mbështetje për të ndjekur kryerësit e krimeve në Kosovë.

“Gjatë gjithë historisë sonë, populli i Kosovës vazhdimisht ka demonstruar një dëshirë të madhe për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën ende vazhdon. Pas më shumë se dy dekada, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi”, thotë Osmani në mesazhin e publikuar në Facebook.

Osmani ka kujtuar se janë mijëra gra që jetojnë me stigmën e padrejtë, për shkak se siç shprehet ajo, janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës, ndërsa asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim, të cilin ajo e quan të neveritshëm.

“Për këto gra unë jam përkushtuar të bëhem zëri i tyre. Ende kemi prindër që dëshirojnë të dinë vendndodhjen e 1600 kosovarëve të zhdukur”, thotë tutje ajo.

“Serbia kreu dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit tonë. Kjo rezultoi në më shumë se 13,000 vrasje të popullatës civile gjatë luftës, 1133 prej të cilëve ishin fëmijë. Krimet e tmerrshme që ndodhën në tokën tonë rezultuan në numrin më të lartë të fëmijëve viktima për kokë banorit gjatë luftërave të Jugosllavisë. Historia e Kosovës e luftës është tragjike, por historia jonë gjithashtu është një histori e besimit, qëndresës dhe shpresës, dhe mbi të gjitha e luftës për liri”, thotë tutje Vjosa Osmani.

Osmani tutje thotë se si u.d e presidentes, kur historia dhe e vërteta sfidohet, është përgjegjësi e saj të sigurohet që të flitet për të me zë të lartë dhe të qartë që të dëgjojë gjithë bota.

“Nisur nga kjo, ne kërkojmë mbështetjen tuaj në ndjekjen tonë për drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb, si dhe në kërkimin tonë për përgjegjësi për personat tanë të zhdukur”, shprehet Osmani.

Sot, gati 13 vjet nga formimi i shtetit tonë, Osmani thotë se tani është më e rëndësishme se kurrë që të vazhdojmë të përqafojmë dhe të promovojmë vlerat demokratike.

“Për këtë, ne duhet të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin dhe të forcojmë institucionet tona si dhe perspektivën tonë ekonomike. Projekti i një shteti të pavarur dhe plotësisht funksional të Kosovës nuk është i mirë vetëm për ne, por është një garantues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Por, përveç kuptimit të së kaluarës sonë, ne gjithashtu duam që bota të kuptojë potencialin tonë”, thotë Osmani.