Osmani në Ditën e Çlirimit: Kujtojmë Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin dhe gjithë ata që dhanë jetën për ta mbrojtur territorin

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin e sivjetmë në Kuvend, në ditën e çlirimit të Kosovës. Osmani e ka nisur me mirënjohjen për forcat e NATO’s, që ndërhyn në Kosovë. Ajo ka përmendur figurat e rëndësishme kombëtare që vepruan për arritjen e lirisë, përfshirë Presidentin Ibrahim Rugova e komandantin e UCK’së, Adem Jasharin. Kryeparlamentarja ka falënderuar emër për emër të gjithë liderët e fuqive ndërkombëtare që përkrahen ndërhyrjen në Kosovë dhe çlirimin e shqiptarëve nga regjimi serb.Një pjesë të madhe të fjalimit, Osmani ia dedikoi 1133 fëmijëve, që u vranë nga forcat serbe.

“NATO ka bërë shumë që ne të jemi këtu,  të ndihemi të lirë. Si sot 21 vjet më parë, u realizua ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë, që jo vetëm e ëndërruan lirinë, por edhe luftuan për të. Pas 78 ditë bombardimesh, shpresa ngadhënjeu. U dëshmua në Kosovë, se liria e jashtme mund të vijë vetëm nëse e fitojmë lirinë tonë të brendshme. Aleancat historike na shpëtuan nga zhbërja, dhe këtu sot jemi edhe falë tyre. Rrugëtimi jonë nuk do të përmbyllej kurrë pa miqtë tanë anë e kënd botës. Respekt pa fund do të ketë”, tha Osmani.

Kryeparlamentarja përmend përpjekjet për liri gjatë viteve të 90-ta, që sipas saj, ishin më të rëndësishmet për lirinë e shqiptarëve pas projektit të Skenderbeut dhe Lidhjes së Prizrenit.

Tutje, Osmani përmendi  edhe  fëmijët shqiptarë të vrarë nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas Osmanit, siç ishim unik në idenë për liri, duhet të jemi unik edhe për paqe të paqëndrueshme.

“Është në traditën tonë, që miqësitë t’i kultivojmë e t’i ruajmë miqësitë. Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë, sepse e kemi përjetuar mungesën e saj. Dua sot të kthejmë vëmendjen kah 1 133 fëmijët e vrarë, foshnje edhe dy-vjeçare që u vranë sepse ai nuk e kursente askënd. Siç ishim unik në ide për liri, duhet të jemi unik për paqe të qëndrueshme dhe në mbrojtjen e sovranitetit”, tha Osmani.