Osmani: Marrëveshja me MCC-në, investimi më i madh në Kosovë në dekada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një adresim nga Capitol Hill me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në ka thënë se lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e thellë.

“Faleminderit shumë që na mirëpritet në këtë ndërtesë historike. SHBA-ja ka qenë një shtëpi për Kosovën në kohë shumë të vështirë. Jemi të lumtur që jemi këtu me ju, në institucionin që ka pasur rol të rëndësishëm për pavarësinë tonë dhe që na përkrah sot e kësaj dite. Kosova sovrane, me një ekonomi në rritje, është krenare që ka SHBA-në pranë saj. SHBA është aleati ynë më i fuqishëm, janë dy shtete, dy kombe që kanë një lidhje të veçantë”, ka thënë fillimisht ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.

“Republika e Kosovës sot është sovrane dhe një demokraci e gjallë. Kjo marrëveshje është dëshmi se ne jemi bashkë në kohëra të vështira e të bukura. SHBA vazhdon të na përkrahë. Siguria e furnizimit me energji është sfidë për shumë popuj në botë. Ky investim në Kosovë ndoshta mund të kthehet në investimin më të mirë që do t’iu mbetet gjeneratave. Kosova është e gatshme të mbështesë këtë rrugëtim për energji të pastër”.

“Ky është investimi më i madh prej dekadash në vendin tonë që do të kontribuojë në stabilitetin energjetikë dhe punësimin e  grave në vendin tonë. Gratë janë në qendër të kësaj iniciative për të fuqizuar sektorin e energjisë”.

“ShBA-ja është duke vazhduar që të na mbështesë që të arrijmë edhe më shumë. Është koha që të hartojmë politika më të mira për t’u përballur me situatën energjetike. Kosova është e gatshme që ta përqafojë të ardhmen e agjendës së gjelbër”.

Osmani ka thënë se këtë investim do t’ia kushtojë sekretares Ollbrajt e cila ka kontribuar aq shumë për vendin tonë./Telegrafi/