Asociacioni

Osmani, Kurti e Konjufca me strategji të dyfishtë – para ndërkombëtarëve zotohen për Asociacionin, para elektoratit e mohojnë

Zotimi i krerëve institucional të Kosovës se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, shpërfaqë dyfytyrësinë e Vjosa Osmanit, Glauk Konjufcës e Albin Kurtit.

Dërgimi i një letre raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ku Presidentja, Kryeparlamentari e Kryeministri, janë zotuar se do t’i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, në vlerësimin e analistit politik, nuk është asgjë më shumë, sesa konfirmimi i një strategjie të dyfishtë që krerët institucional kanë aplikuar që nga dita e parë e tyre në pushtet.

“Zotimi i krerëve të shtetit, para raportueses së Këshillit të Evropës, vetëm sa e konfirmon edhe njëherë strategjinë e dyfishtë të këtij pushteti për t’i përmbushur të gjitha detyrimet që i kanë marrë para bashkësisë ndërkombëtare, e që njëjtat i mohojnë para elektoratit të brendshëm”, ka thënë Kasolli për Albanian Post.

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, më 20 mars të këtij viti ka përfunduar përpilimin e një raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku theksohet se Asambleja Parlamentare e KiE-së rekomandon Komitetit të Ministrave të KiE-së të pranojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Në raportin 26 faqesh të Bakoyannis nënvizohet fakti se Asambleja Parlamentare e KiE-së pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sa më shpejt që të jetë e mundur.

Themelimi i Asociacionit, sipas raportit të Bakoyannis, duhet të jetë i dukshëm në rast se Kosova kërkon anëtarësimin e plotë në KiE.

“Asambleja Parlamentare pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm me synimin për themelimin e Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja Parlamentare konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në pikën e 11-të të raportit të zyrtares greke.

Në lidhje me këtë krerët institucional të Kosovës kanë dërguar një letër diplomates greke ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

“Në letrën tuaj të datës 21 mars 2024, ju na i ofruat ‘zotimet e propozuara të cilat Kosovës do t’i kërkohen që t’i respektojë porsa të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës’. Korrespondenca juaj tregon se kjo listë, që kërkon një përgjigje nga institucionet shtetërore të Kosovës, përbën një përbërës integral të procesit tonë të aplikimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës” thuhet në letrën që është nënshkruar nga tre krerët institucionalë, të cilën e ka siguruar Nacionale.com.

Në shtojcën e cila i është bashkangjitur letrës së krerëve institucional dërguar Bakoyannis, ndër të tjera Osmani, Konjufca e Kurti zotohen se do të bëjnë “hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme”.

Ndër të tjera në shtojcën e siguruar nga Nacionale.com, Osmani, Konjufca e Kurti zotohen se do të respektojnë “plotësisht pavarësinë e gjyqësorit përfshirë përmbajtjen nga kritikat e tepruara që e minojnë besimin në gjyqësor”.

Në shtojcën e dërguar Bakoyannis, Osmani, Konjufca e Kurti janë zotuar gjithashtu që të “përmbahen nga përdorimi i policisë speciale në Veri për detyra të zakonshme”, si dhe “të merren masa urgjente për ta promovuar riintegrimin e serbëve të Kosovës në Polici, Gjyqësor dhe Prokurori në Veri të Kosovës”.

“Do të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në Veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore, të sigurohemi se ato dislokohen vetën në rast nevoje, dhe ta shtojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in”.

Për letrën ku krerët institucional zotohen ndër të tjera edhe për formimin e Asociacionit, të shtunën është deklaruar edhe shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Sipas saj kjo është një letër standarde pa të cilën nuk do të votohej raporti për anëtarësim, i cili pritet të bëhet më 27 mars të këtij viti.

“Procedura standarde është se letra e krerëve të shtetit aspirues për anëtarësim duhet të përkushtohet për t’iu përmbajtur raportit që propozon anëtarësimin e shtetit të ri”.

“Letra nuk është asgjë më shumë se një formalitet që duhet përmbajtur, kurse pjesëve të raportit që iu referohet letra nuk janë pjesë, por referencë tek opinioni i raportueses Bakoyannis”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

VIDEO BONUS: