Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.
Në një konferencë për media të martën pasdite, Osmani theksoi se kërkesa ka karakter preventiv dhe është e nevojshme për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
Ajo shtoi se ky është një rast i paprecedentë në jetën politike të Kosovës dhe se mungesa e konsensusit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues ka krijuar një situatë të paqartë ligjore.
“Çdo moszbatim duhet të ketë pasoja juridike, por ato deri më tani nuk janë sqaruar. Kërkesa jonë në thelb është për qartësimin e këtyre pasojave nëse Kuvendi nuk konstituohet në kohë. Kjo është një përpjekje për të parandaluar pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues të vendit”, ka thënë Osmani.
Presidentja theksoi gjithashtu se në horizont nuk shihet as konsensus e as kompromis për zgjidhjen e kësaj çështjeje përbrenda afatit, duke e cilësuar situatën si një “konflikt kompetencash kushtetuese”.
Pas katër ditësh, përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses që e caktoi për konstituimin e Kuvendit në aktgjykimin e 26 qershorit.







