Osmani: Ia kemi kthyer Qeverisë 1.5 milionë euro, ligji s’lejon të shpenzojmë për qejf

Kryetarja e Kuvendit dhe u.d. e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani duke folur për shpenzimet e Kuvendit ka thënë se në krahasim me çdo mandat paraprak kjo legjislaturë nuk ka shpenzuar fare për udhëtime dhe mëditje.

Ajo ka thënë se ia kanë kthyer Qeverisë 1.5 milionë euro, duke shtuar se ligji nuk ua lejon të shpenzojnë sipas qejfit.

Sipas saj, ligji obligon që nëse tepron buxhet ai i kthehet Qeverisë së Kosovës.

“Ekziston vetëm një vendim që nga shkurti e deri tani që ne e kemi miratuar në Kryesi dhe kemi kërkuar të fillojnë procedurat tenderuese, ai është lifti për personat me nevoja të veçanta. Asnjë shpenzim, e tender tjetër nuk e kemi kërkuar as miratuar. Dhe nëse i shikojmë raportet e shpenzimeve dhe do ta shihni që në minimum ka 10-15 fish më pak shpenzime. Askush nga kabineti im nuk shpenzon veturë. Ka shumëfish më pak shpenzime në dreka darka e mëditje, madje zero në mëditje”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nëse ka pretendime për keqtrajtim të punëtorëve nuk është keqtrajtim nga Kuvendi por nga Kompania sepse ajo i menaxhon punëtorët, duke paralajmëruar se si kryesi do t’i drejtohen kompanisë.