Osmani i del në mbrojtje Kurtit pas deklaratave të Hill: Kosova e përkushtuar dhe angazhuar në procesin e dialogut

Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar fotografi pas takimit me me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Gabriel Escobar dhe ndërmjetësin e BE-së, Mirosllav Lajçak.

Gjatë ditës së djeshme ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christofer Hill theksoi se në takimin e fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ku u zhvilluan bisedime ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ky i fundit ishte i përgatitur ndër pala tjetër jo, duke aluduar në Kosovën, shkruan Demokracia.com.

E gjatë ditës së sotme dy emisarët ndërkombëtar për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak janë takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, ku temë kryesore ishte dialogu.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Osmani i ka dalë në mbrojtje Kurtit, duke thënë se Kosova në dialog është palë konstruktive e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Postimi i plotë i Osmanit, pa ndërhyrje:

Kosova është palë konstruktive, e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut të përqëndruar në njohjen e ndërsjellë.

Në takimin me të dërguarit e posaçëm Lajčák dhe Escobar shpreha përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët tanë, duke potencuar se angazhimi i vendit tonë në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat janë të paprekshme.

Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie.