BQK

Osmani dhe Konjfuca të ‘rezervuar’ në çështjen e dinarit, shfaqën më të shqetësuar pas goditjes nga ShBA-ja

Javët e fundit, Kosova përsëri u gjend nën presion të paprecedentë ndërkombëtar. Shkak-pasojë e gjithë këtij tensioni qe dinari. Një rregullore e re e Bankës Qendrore të Kosovës që parashikonte ndalimin e valutës serbe ngriti në këmbë edhe superfuqitë botërore. Madje situata shkoi aq larg sa ndihmës sekretari amerikan i Shtetit i dërgoi një mesazh paralajmërues kryeministrit Kurti.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të KKB-së për të diskutuar rregulloren e re ishte një goditje fatale për qeverinë e Kosovës, ku shumica e aleatëve tradicionalë të Kosovës, përmes kritikave rreth nxitimit në zbatimin e vendimit, ia kthyen në – pak a shumë – “boomerang” ‘çerren para kalit’ kryeministrit Kurti kur deklaronte se s’mund të flitet për Asociacionin para se të flitet për marrëveshjen finale.

Ndonëse, siç ndodh rëndom, këmbëngulja e Kurtit në fillim mori mbështetje thuajse absolute nga zyrtarë të tjerë të qeverisë, deklaratat e fundit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhanë indikacione për një distancim të tyre nga veprimet e pakoordinuara të kreut të qeverisë së Kosovës.

Gjatë një interviste për gazetën “Demos”, kryeparlamentari Konjufca ishte i qartë lidhur me deklaratat e O’Brien; “Ajo ishte shqetësuese. Nuk ka çka me interpretu aty”.

Duke interpretuar paralajmërimin e ndihmës-sekretarit amerikan, Konjufca tha ndër të tjera se në këtë rast duhet shtruar pyetja “Pse qenka kjo. Pse pe prishka relacionin e Kosovës me SHBA-në”.

Nga ana tjetër, presidentja Osmani bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim në dritën e tensioneve në rritje mes qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë.

Në një intervistë për televizionin arab më 8 shkurt, Presidentja Osmani deklaroi se tensionet e fundit kanë ardhur për shkak të mënyrës së komunikimit në lidhje me vendimin për ndalimin e dinarit, duke theksuar se është e rëndësishme të koordinohet më mirë me aleatët ndërkombëtarë.

Osmani gjithashtu u shpreh se sukseset e deritanishme të Kosovës janë rezultat i bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët me partnerët ndërkombëtarë, dhe për këtë arsye, theksoi nevojën për të ulur dhe për të diskutuar më shumë për të gjetur një zgjidhje.

“Sfida ishte komunikimi, mënyra se si u komunikua. Gjithçka që kemi arritur në këtë vend është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë” – tha Osmani ndër të tjera.

“Ka hapësirë për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, për të punuar rreth kësaj çështjeje.” – tha ajo./Nacionale/